Kuvajti, grant 5 mln euro për Sheshin "Skënderbej"
Përfituesi i grantit prej 5 milionë eurosh do të jetë Bashkia e Tiranës, që do ta përdorë fondin për restaurim
Ministri i Financave, Ridvan Bode ka nënshkruar gjatë ditës së djeshme një marrëveshje grant me Qeverinë e Kuvajtit, të përfaqësuar nga Ismail Al-Shatti, Këshilltari i Kryeministrit kuvajtjan. Marrëveshja grant prej 5 milionë eurosh do të përdoret për restaurimin e Sheshit "Skënderbej" dhe restaurimin e Xhamisë së Et'hem Beut në Tiranë.
Ky financim është rezultat i bisedimeve midis dy kryeministrave, Sali Berisha dhe Kryeministrit të shtetit të Kuvajtit, Sheik Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, gjatë vizitës së këtij të fundit në dhjetor 2007. Gjatë këtij takimi, Kryeministri i Shqipërisë i kërkoi homologut të tij kuvajtjan financim në mbështetje të procesit të decentralizimit të pushtetit vendor. Ministri i Financave ka falënderuar qeverinë e Kuvajtit për ndihmën bujare për Bashkinë e Tiranës dhe banorët e saj, dhe garantoi përfaqësuesit e Emirit të Kuvajtit dhe kryeministrit Al Sabah, se: "Qeveria angazhohet të sigurojë procedurat dhe praktikat e nevojshme, për të lehtësuar implementimin e këtij projekti. I uroj suksese Bashkisë së Tiranës, në zbatimin me sukses dhe në një kohë sa më të shkurtër të këtij projekti",- tha ministri Bode. Këshilltari i Kryeministrit kuvajtian, Al-Shatti ka përshëndetur qeverinë shqiptare në emër të Emirit të Kuvajtit dhe Kryeministrit të këtij vendi dhe ka shprehur sigurinë për vazhdimin e bashkëpunimit me financimin e projekteve të tjera në të ardhmen. Ndërkohë, në emër të Bashkisë së Tiranës, falënderimet për nënshkrimin e marrëveshjes i përcolli nënkryetari Eduart Shalsi, i cili ka vlerësuar nënshkrimin e këtij granti që i hap rrugë fazës së rindërtimit të qendrës së kryeqytetit.
Granti prej 5,000,000 Euro
•Përgatitja e konkursit në nivel ndërkombëtar për përzgjedhjen e konsulentit dhe Kontratës së Shërbimit, për përgatitjen e projektimit të detajuar dhe të gjitha dokumenteve teknike të nevojshme për realizimin e punimeve, me një vlerë prej 500,000 Euro.
•Punimet për rinovimin e Sheshit "Skënderbej" dhe restaurimi i Xhamisë së Et'hem Beut, për të cilat është parashikuar një shumë prej 4,500,000 Euro. Përfituesi i kësaj shume granti është Bashkia e Tiranës, e cila do të organizojë punën dhe të gjitha çështjet e tjera teknike të nevojshme deri në përfundimin e tij.