Qeveria thellon borxhin publik, bie ekonomia dhe konsumi
Ervin KOÇI
Fuqia blerëse në vendin tonë po bie dita-ditës si pasojë e krizës ekonomike që po thellon gjithnjë e më shumë efektet e saj negative, e duke prekur edhe konsumin familjar. Nga ana tjetër, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar dhe kjo tendencë parashikohet të vijojë edhe në muajt në vazhdim. Ky konstatim vjen nga Banka e Shqipërisë, e cila rendit edhe arsyet e kësaj situate. Gjatë një konference për shtyp, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, guvernatori Ardian Fullani pohoi se, “aktiviteti ekonomik vlerësohet të ketë regjistruar një ngadalësim progresiv të ritmit të rritjes këto gjashtë muajt e fundit”. Sipas tij, “treguesit më të fundit të ekonomisë reale, si treguesit e shitjeve, treguesit monetarë dhe ata të besimit, sinjalizojnë frenimin e mëtejshëm të rritjes ekonomike gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009 dhe fillimit të vitit 2010. Stopimi i investimeve nga pjesa më e madhe e bizneseve, shfrytëzimi i ulët i kapaciteteve, rënia e importit të mallrave kapitale dhe rritja e ulët e kredisë për investime, dëshmojnë për një ecuri të ngadaltë të investimeve private edhe në muajt e parë të këtij viti”. Nga ana tjetër, ai shtoi se “ritmet më të moderuara të rritjes së punësimit dhe të pagave, tkurrja e kredisë konsumatore, ecuria e dobët e shitjeve me pakicë, tregojnë për një frenim edhe të konsumit aktual dhe atij të pritur në periudhën afatshkurtër”.
Borxhi publik
Guvernatori Fullani ka theksuar se borxhi publik rezulton të jetë rritur gjatë muajve të fundit. Për këtë rritje ai ka sjellë një sërë arsyesh që kanë të bëjnë me rritjen e shpenzimeve dhe atë të huamarrjes. “Rritja e shpenzimeve, zgjerimi i deficitit dhe rritja e huamarrjes dhanë ndikim të ndjeshëm në aktivitetin ekonomik të vendit. Treguesit e shitjeve, treguesit ekonomik dhe monetar tregojnë frenim të aktivitetit ekonomik”, - u shpreh Guvernatori i BSH-së, Fullani. Edhe pse vërehet frenim në aktivitetet ekonomike, edhe pse ka rënie të importeve dhe borxhi publik është rritur, norma bazë e interesit vazhdon të mbetet 5.25 për qind. “Norma bazë e interesit do të mbetet 5.25%. Ka frenim të aktivitetit ekonomik dhe rënie të importeve. Borxhi publik është rritur si pasojë e rritjes së shpenzimeve”, - tha Fullani.
Kreditimi
Guvernatori Fullani ka thënë në lidhje me kreditimin se kushtet e kreditimit janë shtrënguar. “Treguesit monetarë janë përmirësuar në 3 muajt e 2010. Ndërsa kushtet e kreditimit janë shtrënguar. Përgjithësisht mbizotëron kredia në lekë”, - deklaroi kreu i BSH-së. Ai u bëri thirrje bankave të lehtësojnë kushtet e kredimarrjes, si dhe të tregohen më largpamës duke marrë rol nxitës në ekonomi. “Të lehtësohen kushtet e kredimarrjes dhe rol këtu duhet të luajnë bankat, sistemi bankar të tregohet më largpamës duke marrë rol nxitës në ekonomi”, - u shpreh Fullani, duke theksuar se tkurrja e kreditimit është një problem global. Sipas guvernatorit, kreditë me probleme kanë arritur në 10.5 për qind, megjithatë ato parashikohet të ulen në 6-mujorin e dytë dhe më tej në vitin e ardhshëm. Ai vijoi më tej duke u shprehur se nuk ka vend për panik se kriza greke mund të ndikojë në sistemin tonë bankar. Edhe pse një shqetësim i tillë u ngrit një ditë më parë edhe nga ministri i Financave, guvernatori garantoi mbikëqyrje të rreptë ndaj bankave në vendin tonë.
Inflacioni
Gjatë fjalës së tij, kreu i BSH-së pranoi që inflacioni më muajin shkurt arriti në kuotën 4.4 për qind duke tejkaluar kështu normën, por sipas tij kjo rritje e inflacionit do të ketë veprim afatshkurtër. Guvernatori i BSH-së i bëri thirrje bankave dhe bizneseve të bashkëpunojnë. “Inflacioni tejkaloi normën duke arritur në 4.4% në muajin shkurt por ky është një veprim afatshkurtër dhe BSH-ë do veprojë sipas ecurisë së treguesve. Mbikëqyrja e bankave nga ana e BSH-së do të sjellë më shumë stabilitet, edhe pse duhet të rritet nga ana tjetër bashkëpunimi mes biznesit dhe bankave”, – nënvizoi ai. Përveç BSH-së, ky fakt është pranuar edhe nga INSTAT-i, i cili pak ditë më parë publikoi tregtinë me pakicë, ku sipas të dhënave të tij, konsumatorët kanë reduktuar blerjet, duke i përqendruar ato vetëm tek mallrat e domosdoshëm, si ushqime apo medikamente.
Financat, si do të bëhet rishpërndarja e bonove të privatizimit
Rishpërndarja e bonove të privatizimit që janë depozituar në kompaninë “Anglo Adriatika” do të nisë në bazë të një udhëzimi të Ministrisë së Financave. Ndryshimet e fundit që i janë bërë ligjit të legalizimeve për përdorimin e bonove të privatizimit nga ana e qytetarëve për pagesën e objekteve që do të legalizohen ka detyruar MF-në që të presë daljen e këtij ligji në Fletoren Zyrtare në mënyrë që të vijojë nxjerrjen e udhëzimit. Ky udhëzim do të përcaktojë mënyrën e rishpërndarjes së bonove. Sipas ligjit, do të shpërndahen vetëm bonot që janë te “Anglo-Adriatika”, pasi sipas saj, bonot e tjera janë ende në përdorim nga qytetarët. Pavarësisht se udhëzimi duhej të miratohej pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” që u miratua në seancën e fundit parlamentare ende nuk ka asnjë afat konkret nga ana e MF-së. “Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha bonot e privatizimit të investuara në fondet e investimit të krijuara me Ligjin Nr. 7979, datë 26.07.1995, ‘Për fondet e investimeve’, u rishpërndahen individëve. Ministri i Financave me udhëzim rregullon procedurat dhe afatet e rishpërndarjes”,- thuhet në ligjin e miratuar në Kuvend. Në Shqipëri kanë ekzistuar tri fonde investimesh, që kanë grumbulluar letra me vlerë, ku më e njohura mbetet Anglo-Adriatika, në të cilën kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje shqiptare për një vlerë prej rreth 10 miliardë lekësh. Sipas përllogaritjeve, gjendja e bonove të privatizimit dhe vlera në miliona lekë të shpërndara zë më shumë se 51 miliardë lekë ose rreth 68 për qind. Rreth 24 miliardë lekë janë të pashpërndara dhe në total zënë rreth 75 miliardë lekë bono privatizimi. Në procesin e privatizimit janë përdorur rreth 11 miliardë lekë bono, ndërsa 74 miliardë nuk u arritën të përdoreshin. Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit. Sipas të dhënave, rreth gjysma e letrave me vlerë u mbetën në dorë qytetarëve kur ligji i vitit 1998 nuk u zbatua dhe si pasojë edhe vlera e tyre në treg ra ndjeshëm duke arritur në 4 për qind.
Ndikimi në mjedis, nis debati për kaskadën e Devollit
Ndërtimi i hidrocentraleve përgjatë kaskadës së Devollit pritet të sjellë një ndryshim të eko-sistemit dhe mjedisit në gjithë zonën. Për këtë qëllimi ministria e Ekonomisë ka planifikuar të zhvillojë një sërë takimesh me autoritete të zonë dhe përfaqësues të shoqatave të ambientaliste, me qëllimi njohjen e këtyre efekteve dhe sensibilizimin e banorëve. METE bënë të ditur se ministri Dritan Prifti do të marrë pjesë sot në Konsultimin Publik në kuadër të Vlerësimit Strategjik për Mjedisin të Masterplanit Strategjik të kësaj vepre të madhe publike. Aktiviteti në fjalë është dhe pjesë e marrëveshjes së koncesionit, nënshkruar mes qeverisë dhe kompanive që kanë marrë përsipër realizimin e projektit. Sipas METE-s, takimi do të zhvillohet sot në Shtëpinë e Kulturës në Gramsh dhe ka si synim njohjen, diskutimin dhe konsiderimin e këndvështrimit të publikut dhe grupeve të përfitimit, që kanë lidhje me vlerësimin dhe masat e propozuara. “Gjatë sesionit do të ketë prezantime nga ekspertët përkatës të angazhuar në përgatitjen e vlerësimit strategjik mjedisor, të cilët më pas do të jenë në dispozicion për të adresuar pyetjet që do të ngrihen nga të pranishmit. Të gjithë të interesuarit mund të tërheqin pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës kopje të përmbledhjes së vlerësimit mjedisor strategjik”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Ekonomisë.
Kriza greke, mblidhen sot në Bruksel liderët e BE-së
Çështja e krizës financiare greke do të jetë në tryezën e liderëve të vendeve europiane, të cilët do të mblidhen sot dhe pasnesër në Bruksel. Lajmin e ka bërë të ditur sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane, spanjolli Diego Lopez Garrido, vendi i të cilit kryeson presidencën e radhës së BE-së. Ndërsa Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, ka deklaruar se përgjigjja ndaj kësaj çështjeje specifike do të jetë një test për liderët europianë dhe angazhimin e tyre për “unionin monetar europian”.
25 Mars 2010