Kontrabanda, kapet tregtari, hetim ndaj 3 doganierëve dhe policëve të Portit
DURRËS – Kontrabandimi i mallrave me akcizë përmes portit të Durrësit ka sjellë arrestimin e një tregtari, si dhe nisjen e hetimeve për tre zyrtarë të doganave dhe Policisë së Portit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dje agjentët e Seksionit të Krimit Ekonomik arrestuan në flagrancë për kontrabandë shtetasin Muharrem Deliallisi, lindur dhe banues në Shijak. Sipas njoftimit zyrtar të kësaj drejtorie, 30-vjeçari Deliallisi është arrestuar për kontrabandim të mallrave të akcizës, të realizuar në bashkëpunim. Burimet policore bëjnë të ditur se tregtari u kap nga shërbimet policore me një sasi prej 240 litra vaj automjetesh dhe mallrat të tjera të pa deklaruara. “Pas arrestimit janë sekuestruar ne cilësinë e provës materiale 2 autovetura “Mercedes Benz” pa targa, telefonat celularë të Deliallisit si dhe e gjithë sasia e mallrave të ndryshme të kapura në cilësinë e kontrabandës gjatë kontrollit të mjeteve”, - thuhet në njoftimin e policisë. Zëdhënësja Ornela Cako bën të ditur se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë edhe ndaj 4 shtetasve të tjetër, të cilët akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Sipas saj, ata janë: Pëllumb Peçi, 35 vjeç, me detyrë ndihmëskontrollor në komisariatin e Policisë së Portit, Skënder Ajdini, 43 vjeç, me detyrë doganier në degën e Doganës së Durrësit, Naim Smoqi, 51 vjeç, lindur dhe banues në Shijak, me detyrë doganier në degën e Doganës së Durrësit. Gjithashtu ka filluar procedimi penal në mungesë ndaj shtetasit Arben Krasta, me detyre doganier në këtë doganë. Të gjithë zyrtarët e shtetit. Ata janë akuzuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës pasi gjatë kryerjes së detyrës tyre si doganier dhe ndihmës kontrollor nuk kanë ushtruar kontroll ne automjetet në të cilat janë ushtruar mallrat kontrabandë.
6 Qershor 2008