E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e anglezit, Ja si futëm në kurth Eduardin

Dëshmia e Arlind Vukaj është asi më i fortë që ka në dorë prokuroria e Lezhës, e cila dje pasi mbylli hetimet, dorëzoi dosjen në gjykatë

LEZHË - Dëshmia e njërit prej të arrestuarve zbardh tërësisht rrëmbimin dhe vrasjen e 21-vjeçarit anglez Eduard Krejthorn (Edward Craythorne), i cili u zhduk më datën 3 shkurtit në rrethana tepër misterioze. Arlind Vukaj ka shpjeguar para grupit hetimor planin që ai dhe shoku i tij Mario Pjetrushi kishin për grabitjen e 21-vjeçarit, i cili kishte ardhur së bashku me nënën e tij për pushime tek e motra Sofia Craythorne, e cila jetonte në Shëngjin të Lezhës. “Për ta marrë Eduardin dhe për ta çuar në një vend të izoluar duhej një njeri i njohur, kështu që për këtë detyrë shërbeu Marjo Pjetrushi, i cili e njihte atë dhe kishte madje dhe hyrje-dalje familjare me ta”, - ka pohuar Arlind Vukaj. Me këtë dëshmi prokuroria e Lezhës i ka dhënë fund hetimit mbi vrasjen dhe zhdukjen e Eduard Krejthorn, duke dërguar për gjykim dosjen hetimore ndaj dy të rinjve të cilët akuzohen për “vjedhje me pasoje vdekjen” dhe “fshehje të kufomës” në bashkëpunim. Burime pranë organit të akuzës thanë se dëshmia e Arlind Vukajt është një nga provat kryesore që do t’i paraqitet gjykatës për të vërtetuar akuzat ndaj dy të rinjve. Vukaj në dëshminë e tij është shprehur se Eduard Krejthorn, u bind të shkonte me ta, kur e ftuan që së bashku të pinin marijuanë. Sipas prokurorisë rezulton se dy të rinjtë, pasi kanë marrë anglezin për qëllime grabitjeje e kanë therur dhe trupin e tij e hodhën në një pus të braktisur. Zhdukja në rrethana misterioze e 21-vjeçarit, detyroi nënë e tij Ajlin Kejthorn, të kërkojë ndihmën e emisionit “Njerëz të Humbur” në televizionin kombëtar “Vizion Plus”, ku Mario Pjetrushi, një prej autorëve të vrasjes qetësisht ngriti një alibi për zhdukjen e anglezit. Por gjithçka u zbulua 18 ditë pas ngjarjes, kur një grup fëmijësh gjetën të hedhur në një pus trupin e pajetë të Eduard Krejthorn. Policia nisi menjëherë hetimet duke shoqëruar pas disa orësh Arlind Vukajn dhe Mario Pjetrushin, si të dyshuar për vrasje. Dyshimet e policisë rezultuan të sakta, pasi atyre iu gjetën disa sende personale të viktimës, mes të cilave një orë dhe një varëse floriri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›