E Shtunë, 31 Tetor 2026

Centrali bërthamor, PS: Ja arsyet pse s'mund të ngrihet

Partia Socialiste ka shprehur shqetësim pas lajmeve mbi një projekt të mundshëm për centralin bërthamor në Shkodër. Baraj tha sot se Shqipërisë i mungojnë kushtet më elementare për ngritjen e një centrali të tillë. 

TIRANE- Partia Socialiste është shprehur sot e shqetësuar pas lajmeve mbi një projekt të mundshëm për centralin bërthamor në Shkodër. Sekretari për cështjet mjedisore në PS, Besnik Baraj tha sot se Shqipërisë i mungojnë kushtet më elementare për ngritjen e një centrali të tillë.
Baraj rendit një sërë arsyesh, të cilat bëjnë të pamundur ndërtimin e një impianti nuklear.
“Ka shumë arsye që e bëjnë të pamundur ëndrrën nukleare të Berishës, meqë vendi ynë nuk ofron shumë kushte, ku do të veconim:
1. Shqipëria shtrihet në atë brez të globit që ka sizmikë të lartë.
2. Shqipëria nuk ofron lëndë të parë për të qenë atraktiv, pra mineral uraniumi
3. Sot në Shqipëri s’ka burime njerëzore profesionale të kualifikuara për të menaxhuar impiante të tilla. Instituti i Fizikës Bërthamore falë edhe politikave të Berishës është drejt zhdukjes dhe degradimit të plotë pas rikompozimit që i bëri akademisë së shkencave.
4.Shqipëria nuk ofron burime financiare.” theksoi Baraj.
Ndër të tjera, PS konsideron deklaratat e kryeministrit për kthimin e vendit në një fuqi energjetike , si delirin e radhës.
“Pohojmë edhe njëherë se deklaratat e vazhdueshme të zotit Berisha që prej një viti se do ta kthejë Shqipërinë në një fuqi energjitike përfshirë dhe atë atomike janë deliri i tij i radhës” u shpreh Baraj, përpara gazetarëve.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›