Centrali bërthamor, kroatët: Nuk kemi marrëveshje me Shqipërinë
Nuk do të ketë marrëveshje mes qeverisë kroate dhe asaj shqiptare, për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shkodër. Ky ka qenë reagimi i qeverisë kroate pas publikimit në disa media të huaja, se në fund të muajit prill do të nënshkruhet një marrëveshje mes dy qeverive për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shkodër. Sipas mediave të huaja, ndërtimi i centralit do të merrej përsipër nga një kompani kroate dhe do të kushtonte 4 milionë euro. Por qeveria kroate ka mohuar zyrtarisht zërat se do të nënshkruajë në fund të këtij muaji me qeverinë shqiptare një marrëveshje për ndërtimin e centralit. Në një deklarate zyrtare të Ministrisë kroate të Ekonomisë, e cila është publikuar nga mediat kroate thuhet se “ministria dhe qeveria kroate nuk kanë lëshuar kurrë ndonjë informacion se po planifikojnë që në fund të muajit të nënshkruajnë marrëveshje për ndërtimin e një centrali bërthamor”. Madje sipas Ministrisë kroate “nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë është i pamundur, pasi projekte të këtij lloji kërkojnë vite të tëra negociatash dhe planifikimesh paraprake”. Por pavarësisht përgënjeshtrimeve zyrtare, duket se në plan afatgjatë Tirana dhe Zagrebi po shikojnë mundësinë e realizimit të një projekti të tillë, çka pranohet edhe nga vetë Ministria kroate e Ekonomisë. Zyra e shtypit e kësaj ministrie deklaroi se mundësia e ndërtimit të një centrali atomik në partneritet me Shqipërinë është diskutuar në fund të muajit mars, gjatë një vizite zyrtare në Tiranë të zëvendëskryeministrit polak, Damir Polancec. Sipas ministrisë kroate, gjatë kësaj vizite Shqipëria dhe Kroacia ranë dakord që në fund të prillit të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi dhe të ngrenë një grup pune të përbashkët në nivel ekspertësh, për të prodhuar analiza dhe studime, që do të shërbejnë si bazë për vendimet e ardhshme në lidhje me këtë projekt.