Mikrofinancat: Nuk prekemi nga kriza
Institucionet mikrofinanciare në vend nuk janë të prekura nga kriza ndërkombëtare. Kështu janë shprehur drejtuesit e bordit gjatë punimeve të Asamblesë së 8-të të Unionit Shqiptar kursim-kreditë. Në asamblenë, e cila i zhvilloi punimet e saj në Budva, merrnin pjesë 103 përfaqësues të shoqërive të kursim kredi. Kryetarja e Bordit drejtues të unionit, Zana Konini, gjatë fjalës së saj prezantoi objektivat për vitin 2009-ën, duke siguruar një konsolidim dhe rritje të mëtejshme të institucionit në të gjithë treguesit e saj. Unioni Shqiptar Kursim-kredi është një institucion mikrofinanciar i licencuar nga Banka e Shqipërisë, e cila ka si synim të sajin kreditimin e fermerëve për zhvillimin e zonës rurale. Gjatë 17-viteve, institucioni i mikrokredisë rurale ka ofruar shërbime financiare të nevojshme për konsolidimin dhe zhvillimin e biznesit të tyre, krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin e vazhdueshëm të zonës rurale. Në fund të vitit 2008, Unionit SHKK iu akordua një linjë kredie prej 10 milionë euro nga operacioni spanjoll. Aktualisht grupi Union SHKK shtrihet në 16 rrethe të vendit në 850 fshatra të tij dhe numëron 25 mijë anëtarë. Ky institucion ka një portofol kredie dhe depozitash përkatësisht në shumat 3,6 dhe 1 miliardë lekë. Gjithashtu të dhënat tregojnë së kapitali i grupit Union SHKK ka ardhur gjithmonë në rritje dhe aktualisht është 1.2 miliardë lekë.