E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, tkurret kredidhënia për bizneset dhe individët

 

Fabiola Çela

Të marrësh një kredi po bëhet gjithnjë e më vështirë, jo vetëm për individët por edhe për vetë bizneset. Bankat kanë shtrënguar dorën në dhënien e kredive, gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2008, por e njëjta situatë parashikohet të jetë edhe për 6-mujorin e parë e këtij viti. Ky është konkluzioni i një vrojtimi të bërë nga Banka e Shqipërisë.
Biznesi
Edhe këtë vit bankat do të shtrëngojnë dorën për dhënien e kredive për bizneset, si për ato të mëdha dhe për sipërmarrjet e vogla, por ndryshe nga më parë këtë vit bankat kanë parashikuar që të ketë një rënie të kërkesës së biznesit për të marrë kredi. “Bankat janë shprehur se shtrëngimi i standardeve për miratimin e kredive për bizneset do të vijojë gjatë gjysmës së parë të vitit 2009. Sjellja e bankave ndaj kredive të bizneseve me maturim më të ulët se një vit, do të jetë drejt shtrëngimit të standardeve, por me intensitet më të ulët krahasuar me kreditë afatgjata. Në kontrast me vrojtimet e mëparshme, bankat presin që kërkesa e bizneseve të bjerë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për korporatat e mëdha”, thuhet në vrojtimin e fundit, të kryer nga Banka e Shqipërisë. Ndërkohë, për sa i përket aktivitetit kreditues për 6-mujorin e dytë të 2008-ës, rezultatet e vrojtimit të BSH-së kanë treguar për një shtrëngim të standardeve dhe kritereve të zbatuara nga bankat për miratimin e kredive. Forcimi i standardeve dhe i kritereve të kredidhënies, bazuar në opinionet e ekspertëve të bankave, ishte më i madh se sa ishte parashikuar nga bankat në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008. Bazuar në rezultatet e vrojtimit të radhës, kredimarrja ishte më e vështirë për individët se sa për bizneset. Kredia u shtrëngua në pothuaj të njëjtën masë, si për korporatat e mëdha ashtu dhe për bizneset e vogla dhe të mesme, por me një shtrëngim më të dukshëm për kredinë për investime afatgjata.
Individët
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, bankat kanë shtrënguar dukshëm kushtet për dhënien e kredive për individët. Sipas llojit të kredisë për individët, kredia konsumatore u shtrëngua më shumë se kredia për blerje banese. Gjysma e bankave që kanë qenë pjesë e vrojtimit të BSH, pra 5 banka, janë shprehur se standardet e kredidhënies janë shtrënguar shumë për kredinë për konsum, në krahasim me 2 banka që janë shprehur se kanë shtrënguar shumë kredinë për blerje banese. Kredia për konsum ndjek tendencën shtrënguese që nga 2 vrojtimet paraardhëse, ndërsa kredia për banesa ka pësuar shtrëngimin më të madh në vrojtimin e radhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›