Centrali bërthamor, marrëveshja Shqipëri- Kroaci nënshkruhet këtë muaj
Shqipëria dhe Kroacia do të firmosin këtë muaj marrëveshjen për ndërtimin e centralit bërthamor në Shkodër. Të paktën kështu shkruhet në faqen e internetit të gazetës “Wall Street Italia”. Centrali do të ndërtohet nga kompania kroate “Hrvastka Hrvatskoj” dhe do të kushtojë 4 miliard euro. Por, jo të gjithë janë dakord. Mali i Zi kundërshton fort projektin për shkak të rrezikshmërisë që ai paraqet, duke qenë fare pranë kufirit. Vetë kryeministri kroat Ivo Sanader pati deklaruar disa kohë më parë që vendi i tij është i interesuar për pjesëmarrjen e Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi në realizimin e projektit në territorin shqiptar, por Podgorica e ndalon me ligj ndërtimin e centraleve bërthamore. Në muajin mars ishte revista kroate “Globus”, e cila zbuloi marrëveshjen e fshehtë që bëri kryeministri shqiptar Berisha gjatë vizitës së tij në shkurt në Kroaci. Berisha i pati propozuar homologut Sanader, ndërtimin e një centrali bërthamor, ku Shqipëria ofronte territorin, ndërsa Kroacia ekspertët.
15 Prill 2009