Privatizimi i OSSH-ë, pritet sërish rritje e çmimit të energjisë
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje kontratën e shitjes së 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, kompanisë çeke “ÇEZ”. Sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Ekonomisë, Alfred Rrushaj, “në bazë të kontratës së shitjes, kompania çeke ‘ÇEZ’ do të derdhë për llogari të qeverisë shqiptare në fund të transaksionit, 102 milionë euro”. Ai ka shpjeguar se në këtë shumë përfshihet vetëm vlera e aksioneve dhe jo borxhet e kompanisë. “Kompania çeke ka blerë aksionet e qeverisë shqiptare, çka do të thotë se nuk merr përsipër të mbulojë borxhet e akumuluara për shkak të humbjeve apo edhe ndërhyrjeve në rrjet, apo si rezultat i mos pagimit të faturave nga abonentët”,- sqaroi përfaqësuesi i METE-s. Për sa i takon humbjeve, në kontratë është parashikuar që “ÇEZ” të ulë me 8 për qind humbjet në 2 vitet e para. Gjatë debatit në komision ishte i pranishëm edhe eksperti për energjinë për Shqipërinë në Bankën Botërore, Demetrios Papathanasiou. Lidhur me situatën e OSSH-së dhe çmimin e energjisë elektrike për vitin që vjen, përfaqësuesi i BB-së tha se, “nëse çmimet e energjisë në tregun ndërkombëtar do të qëndrojnë në nivelet aktuale, ne parashikojmë që rritja e tarifave në vitin 2010 të jetë 8- 9 për qind. Por nëse çmimet do të rriten sërish në nivelet e vitit të kaluar atëherë rritja për konsumatorët mund të jetë deri në 15 për qind”. Enti Rregullator do të ndërmarrë në shtator një studim të hollësishëm mbi bazën e të cilit do të përcaktohet edhe rritja e tarifave. Por pasiguritë që mbart privatizimi dhe efektet që rritja e çmimeve mund të ketë për konsumatorët, e kanë nxjerrë BB-në në një propozim të papritur. “Kur njerëzit paguajnë faturat e energjisë është shumë e rëndësishme të kuptohet se një në 5 lekë që paguhet është TVSH-ë, që i shkon shtetit dhe jo kompanisë. Ky është një argument politik dhe është në dorën e qeverisë të vendosë për të”,- theksoi Papathanasiou. Përfaqësuesi i BB-së kërkoi gjithashtu mbështetjen e shtresave në nevojë nga ana e qeverisë, ndërsa tha se duhet të rishikohet edhe niveli i TVSH-së në faturat e energjisë elektrike. Në tetor 2008, “ÇEZ” u zgjodh si kompania fituese. Në mbarëvajtjen dhe realizimin e një procesi tenderimi të hapur, transparent dhe konkurrues, qeveria shqiptare është këshilluar nga “IFC”-së në ndarjen e kompanisë, ristrukturimin e transaksionit, etj.
15 Prill 2009