E Diel, 1 Nëntor 2026

Gumi: “Tirana, e vetmja në Europë pa një plan rregullues”



Deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi, u shpreh dje se Tirana është qytetit që nuk ka një plan rregullues, duke e akuzuar Ramën se e ka lënë qytetin 10 vjet pa një plan. “Si mund të zhvillohet një qytet nëse ne nuk dimë se ku duhet të ndërtohet dhe me çfarë intensiteti? Ku duhet të jenë kopshtet dhe shkollat? Sa të gjera duhet të jenë rrugët? Po hapësirat e gjelbra dhe ambientet e tjera publike? E gjitha kjo ka ndodhur në Tiranë, kryeqytetin e vetëm në Europë që nuk ka një plan rregullues”, - tha deputeti demokrat. Ai shtoi se Rama nuk arriti në 10 vjet të hartonte një plan. “Kjo tregon shumë qartë se plani i vetëm i z. Rama ka qenë ta linte Tiranën pa plan. Rama nuk donte të kishte një plan sepse një plan krijon transparencë, një plan rregullues do të përcaktonte rregulla të qarta dhe të barabarta për të gjithë. Me pak fjalë, plani rregullues do t’i lidhte duart Ramës”, - nënvizoi Gumi.

PLL: “Të krijohen hapësira që ish-të përndjekurit të marrin pjesë në privatizime

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Partia Lëvizja e Legalitetit ka vlerësuar dje veprimin e qeverisë për privatizimin e disa objekteve shtetërore, ndërsa i ka bërë thirrje qeverisë që të krijojë mundësi për pjesëmarrjen e ish-të përndjekurve dhe ish-pronarëve në këto privatizime. “Si një parti e ndjeshme karshi fateve të vendit dhe përfaqësuese e interesave të të përndjekurve politikë dhe pronarëve, Partia Lëvizja e Legalitetit kërkon nga koalicioni qeverisës që të marrë në konsideratë mundësinë që një pjesë e këtyre pronave të privatizohen drejtpërsëdrejti nga të përndjekurit politikë dhe pronarët e tjerë të cilët deri më sot nuk kanë përfituar asgjë nga dëmshpërblimi apo kthimi i pronave. PLL mendon se është koha që të shikohen me sy kritik proceset e deritanishme të privatizimeve, dëmshpërblimeve apo rikthimit dhe kompensimit të pronave dhe të merret çdo masë korrigjuese për mangësitë e konstatuara”, - është shprehur përfaqësuesi i PLL-së, Murat Basha.

Withers viziton komunitetin rom, apelon për më shumë vëmendje

Ambasadori amerikan në Tiranë ka vizituar banorët romë të një lagjeje në periferi të Tiranës. Ambasadori John Withers ka takuar çdo familje, dhe ka parë nga afër vendin ku jetojnë këta persona. Ai ka dëgjuar kërkesat e tyre dhe është shprehur i gatshëm për të ndihmuar këtë komunitet përmes organizatave. “Unë mund të reflektoj për atë çka tha sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, që është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me organizatat dhe sistemin vendor për të siguruar të drejtat e njeriut për komunitetin rom. Ka një plan veprimi në ndihmë të komunitetit rom dhe do të kërkoja vëmendjen e atyre strukturave për të bashkëpunuar dhe për të përmirësuar kushtet e këtij komuniteti”, - u shpreh Withers.

Kreu i SHISH-it kërkon në Komision më shumë fonde në buxhet

Komisioni i Sigurisë ka zhvilluar një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura me kryetarin e SHISH-it, Bahri Shaqiri, në lidhje me aktivitetin e Shërbimit të Inteligjencës Shqiptare. Maxhoranca dhe opozita kanë shprehur gjatë kësaj seance mendime të njëjta përsa i përket aktivitetit të këtij shërbimi. Aty ku deputetët janë ndarë me njeri-tjetrin ka qenë pika e financimeve të këtij shërbimi. Sipas opozitës, problemi kryesor mbetet mosfinancimi i këtij shërbimi inteligjent, i cili reflektohet në eficiencën e punës dhe në sigurinë kombëtare. Mungesa e theksuar e fondeve për operacionet, për një teknologji më të avancuar, për trajtimin e inspektorëve dhe të agjentëve të SHISH-it, trajnimin e tyre, pagat, kanë pasur ndikim, sipas opozitarëve, në efikasitetin e punës. “Sot, Komisioni i Sigurisë kishte të ftuar kreun e SHISH-it. Deputetët i bënë pyetje dhe morën përgjigje. Problemi kryesor që ka Shërbimi Informativ është mungesa e buxhetit për realizimin e misionit”, - u shpreh deputeti socialist Pirro Lutaj. Shërbimi Informativ Shtetëror kërkoi në fillim të këtij viti, gjatë ndarjes së zërave në buxhet, edhe në Komisionin Parlamentar ku opozita mungonte në atë kohë, shtesë në buxhetin e saj. Asokohe, Komisioni i Sigurisë miratoi një pjesë të kërkesave, por nuk i përmbushi të gjitha.

24 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›