Centrali bërthamor, replika PS-PD
TIRANE- Pas akuzave të deputetit socialist Sajmir Tahiri, se Berisha me ngritjen e Agjencisë Kombëtare Bërthamore po bën gjithcka për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe se PS do të kërkojë referendum për centralin bërthamor nëse nuk zgjidhet kjo krizë, ka ardhur edhe reagimi i PD. Në një prononcim për mediat, zëdhënësja e PD, Erla Mëhilli ka theksuar se ngritja e Agjencisë Kombëtare Bërthamore përbën një detyrim kombëtar dhe ndërkombëtar për Shqipërinë në procesin e saj të integrimit euroatlantik. “Edvin Kristaq Rama dhe pinjollët e tjerë të nomiklaturës së vjetër, sot shfaqën para publikut dimensionin e tyre antiglobal, fytyrën e sotme reale të maksizmit dhe lenizmit. Ata u ngritën kundër krijimit të Agjencisë Kombëtare Bërthamore, e cila përbën një detyrim kombëtar dhe ndërkombëtar për Shqipërinë në procesin e saj të integrimit euroatlantik. Paragjykimi dhe denoncimi i këtij vendimi shumë të rëndësishëm për vendin nga ana e Edvinit dhe bllokmenëve të rinj është thjesht një qëndrim atavist, i bazuar në doktrinën e etërve të tyre historikë dhe biologjikë por kryekëput i pavlerë në kohët e sotme”- deklaroi Mëhilli. Ndërsa thirrjen e një referendumi nga ana e PS për ngritjen e centralit bërthamor, Mëhilli e ka ironizuar duke theksuar se, “për sa i përket kërcënimit për referendum PD e njeh si legjitim dhe mjet demokratik referendumin. Por sa mund ta thërrasin ata referendumin, ata të cilët e provuan këtë referendum në partinë e tyre, që sic u pa përfundoi si kaposhi në thellë. Ku sipas vetë statistikave të tyre, nga 87 mijë anëtarë të PS, morën pjesë gjithsej 6375 votues”, përfundon ajo.(m.a/BalkanWeb)