Shkodër, LRI: 5 ton ndihma për banorët në zonat e përmbytura
TIRANë- Lëvizja Rinore për Integrim dhuroi sot 5 ton ndihma materiale dhe ushqimore për banorët e zonave të cilët u prekën nga përmbytja e këtij fillim viti në qarkun e Shkodrës. Sipas njoftimit të shpërndarë sot për mediat, drejtues dhe aktivistë të forumit rinor të LRI-së vizituan fshatrat Obot, Muriqan, lagjen Ajsëm në qytetin e Shkodrës, etj, banorët e të cilave u dëmtuan nga përmbytjet që u shkaktuan si pasojë e reshjeve intesive disa ditore, që detyruan dhe hapjen e portave të hidrocentraleve. Kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho u shpreh se ky forum rinor do t’u qëndrojë pranë banorëve të prekur nga përmbytja, duke dhënë ndihma konkrete, por edhe duke treguar, mbi të gjitha, solidaritetin njerëzor në mbështetje të tyre. Ajo kërkoi që gjithë shqiptarët të bëhen pjesë e këtij aksioni solidarizues. Xhixho vlerësoi dhe masat që janë marrë nga institucionet përkatëse për normalizimin e situatës. Sipas saj, autoritetet i kanë të gjitha mundësitë dhe do të vënë në zbatim plane afatgjata për shmangien e situatave të tilla në të ardhmen. “Gjatë kësaj kohë që po qëndrojmë këtu në konstatuam se familjet e prekura nga përmbytjet kanë filluar t’i kthehen normalitetit të jetës, por padyshim kanë pësuar shumë dëme dhe për këtë duhet të ndihmohen nga të gjithë ne”, tha ajo. Kryetarja Xhixho vlerësoi se strukturat e qeverisjes vendore dhe ato qendrore, ushtria e policia po japin ndihmë të rëndësishme në kthimin e normalitetit, ndërsa po punohet intensivisht për riparimin e dëmeve të shkaktuara në argjinaturat e zonës së përmbytur. Në emër të LRI-së, ajo shprehu besimin se organet përgjegjëse, në qendër e bazë, do të ndërmarrin hapa dhe programe afatmesme dhe afatgjata për një stabilizim përfundimtar të këtij problemi kronik, siç është ai i përmbytjeve. Kryetarja e LRI-së vuri në dukje se gatishmëria që tregoi mazhoranca për të përballuar situatën dhe për të kthyer jetën e banorëve të zonave të prekura në normalitet, është garanci për parandalimin e situatave të ngjashme në gjithë vendin.(m.a/BalkanWeb)