E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strukturat ushtarake nën vëzhgim

Prokuroria e Përgjithshme dorëzon materialet shtesë për imunitetin e Mediut Mbërrin edhe materiali për deputetin republikan Paturri

Zyrtarë të opozitës thonë se strukturat ushtarake janë të përfshira në çështjen e Gërdecit dhe se ato mund të jenë pranë hetimit më të gjerë, sesa thjesht me dëshmi, sikurse është vepruar deri tani me Prokurorinë e Përgjithshme. Deputetë opozitarë i thanë “Korrierit” mbrëmë pas mbledhjes së Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve se në dokumentacionet shtesë për ka dërguar Prokuroria e Përgjithshme për çështjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dalin edhe përgjegjësitë e strukturave ushtarake. Ata iu shmangën pohimit të drejtpërdrejtë nëse zyrtarë të ushtrisë do të merren të pandehur, duke mos komentuar për shkak të veçantisë së çështjes. Ata u mjaftuan me frazën që, “ato që dihen, dihen, si edhe që Shtabi i Përgjithshëm bënte raporte për çdo ditë për Gërdecin, prandaj ata janë nën vëzhgim”. Ata konfirmuan se në dokumentacionin e dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme janë përfshirë të gjitha kërkesat e bëra nga këshilli. Mbledhja u thirr mbrëmë nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pasi organi i akuzës deklaroi dërgimin e e katër dosjeve të tjera me materiale shtesë për çështjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, shoqëruar me shkresën përkatëse për autorizimin e ndjekjes penale ndaj tij. Suela Ruseti, zëdhënëse e kryekuvendares Topalli, konfirmoi gjithashtu mbërritjen e dokumentacionit. Ruseti saktësoi se “në mënyrë të menjëhershme, Kryetarja e Kuvendit thirri anëtarët e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve për t’u njohur me dokumentacionin e ardhur, në mënyrë që të krijojnë bindjen e nevojshme dhe të përfundojnë sa më shpejt procedurat, me votim në seancë plenare”.

Topalli duket se e ka ndjekur “këshillën” e ambasadorit amerikan, Xhon Uidhërs i Dytë, duke mbledhur menjëherë këshillin pasdite, ku anëtarët e tij janë njohur me dokumentet e ardhura. Në dokumente, sipas prokurorisë, janë materialet e mëparshme që i janë dërguar Kuvendit, përfshi shtesën që kërkoi këshilli në mbledhjen e fundit, ku raportoi ish-ministri i Mbrojtjes. Këshilli kërkoi 9 dokumente shtesë, të cilat u “shoqëruan” me akuzën se prokuroria i kishte fshehur materialet e Kuvendit. Zëdhënësja Ruseti citoi shkresën shefes së organit të akuzës, Ina Rama, dërguar Topallit: “Pjesë të dokumentit shtesë të ardhur janë disa dokumente të sekuestruara në vazhdim të hetimeve e pas paraqitjes së kërkesës në Kuvend. Në përgjigje të kërkesës për dokumentet shtesë, me synimin për të mos u bërë pengesë për një vendimmarrje sa më të drejtë të Kuvendit, po ju dërgojmë dokumentet e vendosura në 4 volume”. Ndërkohë, burimet zyrtare të Kuvendit bëjnë të ditur se në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Imunitetit është diskutuar edhe kërkesa e prokurorisë për deputetin tjetër republikan, Hajrulla Paturri, për të cilin gjithashtu kërkohet heqja e imunitetit. Sikurse bëjnë të ditur burimet zyrtare, në seancën e radhës deputeti Paturri do të jetë i pranishëm për të dhënë argumentet e tij për çështjen. Paturri mori përgjegjësinë për goditjen e gjyqtarit në ndeshjen e “Ilirisë” së Fushë-Krujës kundër “Bylisit” nga Ballshi, për një 11-metërsh të dhënë për miqtë në minutën e fundit të lojës. Këshilli do të mblidhet njëkohësisht edhe për shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit të dy deputetëve të Partisë Republikane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›