E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramsh, mbyten në rezervuar dy të rinj



GRAMSH - Dy të rinj, 20 dhe 21 vjeç u mbytën pasditen e djeshme në një rezervuar në fshatin Tërvol të Gramshit. Ngjarja e rëndë ndodhi aksidentalisht, teksa kushërinjtë Mariglen Kullolli dhe Elton Dusha po laheshin në ujërat e rezervuarit. Mësohet se rreth orës 18:25, një banor i fshatit që ka parë skenën tragjike nga larg, njoftoi policinë. Kjo e fundit mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisën kërkimet për trupat e viktimave. Dëshmitarë në vend ngjarje bënë të ditur se të rinjtë janë gjendur në vështirësi, pasi në fillim ka ngecur në baltën e rezervuarit njëri prej tyre. Kushëriri i tij ka rendur për ta ndihmuar, por, në përpjekje për të shpëtuar, ai ka mbetur edhe vetë në baltë. Për pasojë, dy të rinjtë kanë humbur jetën në fund të rezervuarit. Ndonëse bashkëfshatarët e tyre tentuan t'iu japin ndihmë, shpëtimi i tyre ishte i pamundur pasi thellësia arrinte gjer në katër metra. Forca të shumta të policisë së Elbasanit, me në krye nëndrejtorin Ismail Elezi e më pas dhe forcat RENEA mbërritën në vend. Në orët e vona të mbrëmjes u bë e mundur nxjerrja e trupave të viktimave. a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›