E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, u përplas nga motorri i detit, ndërron jetë në spital plazhisti



DURRES - Ndërron jetë në sallën e reanimacionit të Spitalit Rajonal të Durrësit adoleshenti nga fshati "Rinia", i cili u aksidentua nga një motorr deti teksa notonte. Paralelisht me këtë ngjarje të rëndë mësohet edhe shkarkimi nga detyra i drejtorit Rajonal të Kufirit në Durrës komisar Naim Manuka. Ngjarja u konsumua rreth orës 14:30 të së dielës në skajin më jugor të Gjirit të Lalëzit, teksa 16-vjeçari Petrit Matraxhiu po notonte jo shumë larg bregut. Pas 40 orëve në gjendje kome, jeta e adoleshentit u shua si pasojë e traumave fatale të shkaktuara nga skafi i shpejtë. Pak orë pas aksidentit detar policia ka prangosur shtetasin 38-vjeçar Indrit Murati, person ky që sipas hetimeve po drejtonte mjetin e shpejtë lundrues në ato ujëra. Ndërkaq dy ditë pas aksidentit Ministria e Brendshme firmosi shkarkimin e Naim Manukës, i cili drejtonte prej 5 vitesh Policinë Kufitare dhe të Migracionit në Durrës. Mësohet se vendimi për shkarkimin e Manukës ishte marrë nga eprorët e tij menjëherë pas ngjarjes në gjirin e Lalëzit, teksa komunikimi është kryer në orët e para të së martës. Për të mos lënë të zbrazur një post kaq të rëndësishëm si drejtori i policisë kufitare në Durrës, aq më tepër në kohë fluksi udhëtarësh dhe mbipopullimi plazhesh Ministria ka emëruar në vend të Manukës pasuesin e tij, Sajmir Boshnjaku. Pavarësisht se flitet shumë për disiplinimin e trafikut detar të motorëve të detit, mungesa e sinjalistikës e bën të vështirë mbajtjen nën kontroll të fenomenit në 62 kilometra plazhe që ka bregdeti i Qarkut të Durrësit. Policia e Durrësit, reagoi një ditë më parë për këtë ngjarje, duke ia lënë përgjegjësinë për moskontrollin e mjeteve në ujë pushtetit vendor. "Nuk ka nisur një aksion anti-scooter uji për faktin e thjeshtë se strukturat vendore të ngarkuara me këtë punë si bashkia e Durrësit, komunat bregdetare të Qarkut Durrës-Krujë dhe Prefektura nuk kanë vendosur akoma sinjalistikën detare për motorët e ujit", ishte deklarata e saj. Ndonëse jemi në pikun e sezonit, ende nuk javë vënë në zbatim masat, duke provokuar dhe ngjarje të tilla tragjike. o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›