E Diel, 1 Nëntor 2026

Cërrik, bllokohet fondi, 502 familje pa ndihmë ekonomike

CERRIK- Ndërpritet përkohëshisht ndihma sociale për 502 familje të varfra në Cërrik. Vendimi është bërë publik nga Shërbimi Social Shtetëror përmes një urdhri që bllokon fondin për Bashkinë e Cërrikut. Kreu i Drejtorisë Ekonomike pranë kësaj bashkie shpjegon se fondi është bllokuar me arsyetimin se ndihma po jepet me masë jo të plotë por vetëm 72% e saj.

“Pretendohet se Bashkia e Cërikut trajton me ndihmë ekonomike në masën 72% nga 100% që është e lejuar sipas ligjit. Duke patur parasysh se fondi i vënë në dispozicion nga ministria nuk përmbush detyrimet për ti trajtuar këto familje me ndihmë ekonomike, Bashkia për të mos i vecuar ato i paguan me 70%. Kerkojmë shtesë fondi për të trajtuar të gjitha familjet që plotësojnë kriteret për të marrë ndihmë ekonomike.” thekson drejtori i Drejtorisë Ekonomike pranë Bashkisë së Cërrikut, Hekuran Kumuria.
Sipas tij, bashkia ka kërkuar jo vetëm ndryshim të këtij urdhri por edhe rritje të fondit për shkak se shumë familje kanë nevojë emergjente për ndihmë ekonomike në kushtet e papunësisë dhe pamundësive për të siguruar të ardhura të tjera.

Nëse fondi për ndihmën sociale nuk do të zhbllokohet , rreth 500 familje në Cërrik të cilat jetojnë nën minimumin jetik, do të duhet të gjejnë burime të tjera të ardhurash gjë që është shumë e vështirë.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›