Murinjo pushton faqet e para të shtypit europian
ROME- Fotoja e Zhoze Murinjos me gëzimin e çmendur pas ndeshjes në Barcelonë ka qenë në faqe të parë të thuajse të gjitha gazetave evropiane ditën e enjte. “Mou, e meritove”, është titulli i madh i Marca-s, gazetës madrilene. “Cibeles fle i qetë”, titullon AS referuar zonës së shatërvanit ku festohen triumfet e mëdha në Madrid. Më tej ajo shkruan se Murinjo shkurorëzoi Barçën me një mbrojtje të jashtëzakonshme. Dy gazetat që njihen për simpatinë ndaj Realit të Madridit vënë në dukje edhe hapjen e impiantit të ujitjes në fund të ndeshjes, gjë që pengoi interistët të festonin. Ndërkohë, klimë tjetër në gazetat katalanase. “Erdhi vonë”, është titulli i El Mundo Deportivo referuar golit të Pikesë në minutën e 84-t. “Sport” hapet me fjalët e Guardiolës: “Duhet të ringrihemi, kemi ende La Ligën”, ndërsa kritikohet loja tepër mbrojtëse e Interit, që sipas kësaj gazete nuk mendoi fare të bëjë futboll. Nuk ka kaluar pa u vënë re ndërkohë as përplasja mes Viktor Valdes dhe Zhoze Murinjos në fundin e takimit, pasi portieri nuk lejonte që trajneri të festonte. Në Angli ndërkohë heroi ka qenë vetëm 1: Murinjo. “Kjo është Special One”, titullon Daily Mail, referuar nofkës së portugezit. “A ju kisha thënë se jam special”, është titulli i Daily Mirror. “Murinjo përshëndet orën më të bukura pasi pushton Kamp Noun”, shkruan prestigjiozja Times.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)