E Diel, 1 Nëntor 2026

Cërriku, gjykata reagon pas kritikave të KLD-së

30/09/2009  Shkak për shtyrjen ka qenë mungesa e avokatëve mbrojtës, të cilët nuk ishin të pranishëm

Dje trupi gjykues vendosi që procesi të zhvillohet jo një herë, por dy herë në javë

TIRANË – Procesi gjyqësor kundër të pandehurve që akuzohen për ngjarjen e rëndë të Cërrikut në vitin 1997, shtyhet sërish. Shkak për shtyrjen ka qenë mungesa e avokatëve mbrojtës, të cilët nuk ishin të pranishëm edhe pse kishin marrë njoftime në kohën e duhur. Gjykata ka reaguar në seancën e djeshme që zgjati shumë pak. Sipas gjykatës, seancat duhet të vazhdojnë rregullisht dhe nuk duhet të shtyhen për mungesë të njërës apo tjetrës palë. Gjithashtu ajo iu drejtua avokatëve mbrojtës që të respektojnë afatet dhe solemnitetin e procesit gjyqësor duke qenë të pranishëm e të mos bashkohen me të pandehurit për të thyer rregullat. Po dje trupi gjykues u shpreh edhe për ndryshimin e kursit. Menjëherë pas deklaratave të bëra në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka reaguar gjykata. Dje trupi gjykues vendosi që procesi të zhvillohet jo një herë, por dy herë në javë. Një gjë e tillë do të bëhet për të mos humbur afatet e hetimit gjyqësor që si duket janë duke u zvarritur pambarimisht. Procesi kundër të pandehurve që akuzohen për ngjarjen e Cërrikut ka mbetur në fazën e deklarimeve të lira të vet të pandehurve. Aktualisht është duke folur ish- kryetari i Partisë Socialiste të Cërrikut në vitin ’97 Llazar Bicja. Ky i fundit ka hedhur poshtë të gjitha akuzat duke deklaruar se arrestimi i tij ka ngjyra politike dhe është bërë vetëm si pasojë e funksioneve që ka pasur në atë kohë. Por nga ana tjetër, gjyqtarët nuk kanë mundur të vazhdojnë gjyqin edhe për shkak se një prej të pandehurve, të cilit iu zëvendësua avokati mbrojtës nuk ka marrë dijeni. Gjykata tha dje se do të njoftoi të pandehurin që ndodhet në burg dhe gjykohet në prani të avokatit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›