E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Hoxhës, dëshmitarja me dy identitete shtyn procesin

30/09/2009  Gjykata pret videokonferencën me Avdyl Loshajn, i keqtrajtuar nga SHIK-u

TIRANË – Ndërsa është në pritje të videokonfrencës që mund të zhvillohet nga Holanda për të marrë në pyetje Avdyl Loshaj, gjykata vazhdon me marrjen e deklarimeve të dëshmitarëve. Remzi Hoxha, shqiptaro – maqedonasi, i zhdukur në rrethana misterioze më 25 tetor 1995, pas shoqërimit nga ish- shikasit, edhe pse kanë kaluar më shumë se 18 muaj proces gjyqësor, ende nuk dihet se ku prehet. Megjithatë, gjykata vazhdon të marrë në pyetje dëshmitar të sjellë nga organi i akuzës. Dje në sallën e gjyqit para trupit gjykues ndodhej në cilësinë e dëshmitares një ish- punonjëse e punishtes, pronë e familjes Hoxha në atë kohë. Por gruaja që erdhi për të dëshmuar mbante dy identitete. Ajo u paraqit në gjykatë me dy emra. Ruzhdie dhe Lilika Kërçini. E ndodhur në këto kushte gjykata kërkoi shpjegime. Por dëshmitarja u shpreh se mbante të dy emrat si në kartën e identitetit, ashtu dhe në pasaportë. Pas konsultimit, gjykata vendosi të mos e pyes dëshmitaren dhe i kërkoi që në seancën e radhës të sjellë një certifikatë familjare për të vërtetuar identitetin e saktë. Seanca më pas u shty për javën që vjen. Ndërkohë gjykata vazhdon të presë përgjigje për marrjen në pyetje të një prej personave që i shpëtuan torturave të vitit 1995 Avdyl Loshaj. Ky i fundit ka qenë i shoqëruar në të njëjtën bazë, në Vain të Lezhës së bashku me Remzi Hoxhën. Por ndërsa ka i shpëtoi vdekjes, Remzi Hoxha nuk gjendet se ku ndodhet. Hoxha është kërkuar nga ana e akuzës të merret në pyetje me cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen. Por Loshaj nuk ka pranuar të kthehet në vendin tonë, duke shprehur frikë. Ai ka thënë se ndihej ende i frikësuar dhe për këtë arsye nuk preferon të vij në gjykatë për të dëshmuar. Në këto kushte u pranua që pyetja e tij të merret nëpërmjet videokonferencës. Në këtë proces janë të pandehur, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›