E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Sigurimi i kufijve çon në liberalizimin e vizave



Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, deklaroi se ruajtja dhe sigurimi i kufirit është një objektiv madhor që ndihmon në procesin e liberalizimit të vizave.

Kjo deklaratë u bë gjatë inspektimit të sallës operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me qëllimin për të parë nga afër gatishmërinë dhe ecurinë e procesit të integrimit të sistemeve të kërkimit, identifikimit dhe analizës së informacionit. “Ky proces ka të bëjë me një objektiv madhor siç është liberalizmi i vizave, që lidhet drejtpërsëdrejti me atë të ruajtjes dhe sigurisë së kufirit. Integrimi i këtyre sistemeve do të pajisë Shqipërinë me standardin më të lartë në Ballkanin Perëndimor për ruajtjen e kufirit, me praktikën më hermetike të goditjes së krimit ndërkufitar dhe në të njëjtën kohë me një transparencë të pademonstruar ndonjëherë nga ndonjë vend tjetër i rajonit”, - u shpreh ministri Basha. Ndërkohë që sipas tij, integrimi i plotë i këtyre sistemeve do ta shndërrojë Shqipërinë në vendin me standardin më të lartë në Ballkanin Perëndimor në luftën ndaj krimit ndërkufitar. “Jemi të bindur se përfundimi në kohë i këtyre qendrave operative, për të cilat po jepet edhe asistenca e duhur nga misioni i BE-së dhe ekspertët amerikanë pranë Policisë së Shtetit, do të bëjë të mundur që në inspektimin e ardhshëm të Komisionit Evropian, Shqipëria të vlerësohet si një nga vendet e Evropës Juglindore me standardin më të lartë për ruajtjen, kontrollin dhe sigurinë e kufijve”, - vazhdoi numri një i Ministrisë së Brendshme. Ministri Basha u shpreh pas inspektimit se modernizimi dhe integrimi mes tyre i sistemeve të informacionit ka të bëjë me objektivat e qeverisë “Berisha” për qeverisjen elektronike, tashmë të shtrira në një fushë shumë të rëndësishme siç është ajo e zbatimit të ligjit.

Së shpejti, qendra lidhjeje edhe me Regjistrin e Gjendjes Civile

Kjo është qendra e vetme operacionale ku janë të integruara sistemi TIMS, sistemi i survejimit të vendkalimeve kufitare nëpërmjet kamerave dhe sistemi i kontrollit detar, dhe që është vënë në funksion në fillim të muajit shtator. Kjo cilësohet si një nga elementet e rëndësishme të Strategjisë së Menaxhimit të Integruar të Kufirit. Kjo, pasi salla zotëron 24 orë në ditë të dhënat nga të 26 pikat kufitare të vendit. Brenda muajit tetor, edhe në pesë pika kufitare të vendit, të cilat janë të izoluara, do të instalohet sistemi TIMS, një sistem i cili bazohet në përvojat më të suksesshme të BE-së. Ky sistem do të ndërlidhet, pra do të ketë një ndërfaqe me Regjistrin e Gjendjes Civile, duke mundësuar shkarkimin e të dhënave të këtij regjistri për të gjithë shtetasit që posedojnë pasaporta biometrike dhe ato aktuale, me sistemin MEMEX të analizës së informacionit kriminal, e po kështu me sistemin e kontrollit të kufirit detar. Në sallën qendrore operative të Policisë së Shtetit do të kryhet survejimi në kohë reale i të gjitha vendkalimeve kufitare nëpërmjet sistemit të kamerave, e po kështu edhe kontrolli i kufirit detar nëpërmjet imazhit të përcjellë nga sistemi i kontrollit detar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›