E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalizimi i vizave me BE-në Basha inspekton sistemin TIMS

30/09/2009  Në tetor sistemi elektronik do të instalohet në 5 pika kufitare. 26 dogana monitorohen

TIRANE- Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, kreu dje një inspektim në sallën operative të Drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit për të parë nga afër gatishmërinë dhe ecurinë e procesit të integrimit të sistemeve të kërkimit, identifikimit dhe analizës së informacionit. Vënia në funksionim e qendrës së vetme operacionale ku janë të integruara sistemi TIMS, sistemi i survejimit të vendkalimeve kufitare nëpërmjet kamerave dhe sistemi i kontrollit detar, ka nisur në fillim të muajit shtator. Për të monitoruar imtësisht të gjitha lëvizjet salla posedon 24 orë në ditë të dhënat nga 26 pikat kufitare të vendit. Brenda muajit tetor edhe në pesë pika kufitare të vendit, të cilat janë pikat kufitare të izoluara do të instalohet sistemi TIMS, një sistem i cili bazohet në përvojat më të suksesshme të BE-së. Ky sistem do të ndërlidhet dhe do të ketë një ndërfaqe me Regjistrin e Gjendjes Civile, duke mundësuar shkarkimin e të dhënave të këtij regjistri për të gjithë shtetasit që posedojnë pasaporta biometrike dhe ato aktuale, me sistemin MEMEX të analizës së informacionit kriminal, e po kështu me sistemin e kontrollit të kufirit detar. Ministri Basha u shpreh pas inspektimit se “modernizimi dhe integrimi mes tyre i sistemeve të informacionit ka të bëjë me objektivat e qeverisë Berisha për qeverisjen elektronike, tashmë të shtrira në një fushë shumë të rëndësishme siç është ajo e zbatimit të ligjit. Ky proces ka të bëjë me një objektiv madhor siç është liberalizmi i vizave, që lidhet drejtpërsëdrejti me atë të ruajtjes dhe sigurisë së kufirit”. Në sallën qendrore operative të Policisë së Shtetit do të kryhet survejimi në kohë reale i të gjitha vendkalimeve kufitare nëpërmjet sistemit të kamerave, e po kështu edhe kontrolli i kufirit detar nëpërmjet imazhit të përcjellë nga sistemi i kontrollit detar. Ndërkohë që mësohet se Policia e Shtetit është duke krijuar edhe një sistem të dhënash për të gjitha makinat luksoze, të cilat dyshohet se janë të grabitura jashtë vendit. Sipas tyre, ky proces do të ndihmojë shumë në zbardhjen e shpejtë të grabitjeve të makinave, që kohët e fundit është kthyer në një profesion real i grabitësve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›