E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama kërkon mendimin e të vjetërve

30/09/2009  Mandat i ri në krye të Partisë Socialiste

Tema e bisedës, hapat që duhet të hedhë në vijim selia rozë

Takimet me përfaqësues të rëndësishëm të Partisë Socialiste ishin veprimet e para që ndërmori kreu socialist Edi Rama menjëherë pas rizgjedhjes së tij në këtë post. Kështu, gjatë dy ditëve të fundit pas shpalljes së rezultateve zyrtare për zgjedhjet në PS, ku Rama rezultoi fitues përballë kandidatit tjetër në këtë garë, Maqo Lakrori, kreu socialist u ka kushtuar rëndësi takimeve me figura të shquara të kësaj partie. Ishte pikërisht ish-kryetari i Kuvendit në kohën e qeverisjes socialiste Server Pëllumbi ai që u thirr dje në selinë rozë nga kreu i PS-së Edi Rama. Asnjë nga bashkëbiseduesit nuk bënë me dije lidhur me temën e bisedës, por mësohet se kanë qenë pikërisht zhvillimet brenda kampit rozë lidhur me periudhën postzgjedhore mbi të cilat është përqendruar ky takim. Ndërkohë vetë ish-kryetari i Kuvendit, Pëllumbi, nuk ka hezituar të bëjë publik opinionin e tij ndaj qëndrimit të socialistëve për të bojkotuar institucionin e Parlamentit. Sipas tij, duhet që pozita dhe opozita të gjejnë rrugën e dialogut mes tyre, por kjo në një nivel negocimi, komunikimi. Madje, në gjykimin e tij duhet të merret nisma për t’u ulur në tavolinë për të diskutuar, sepse vetëm duke i dhënë përgjigje nëpër konferenca shtypi nuk ka zgjidhje. Në këtë mënyrë, përmes takimit të djeshëm mësohet se kreu socialist Rama ka synuar që të konsultohet me profesorin e socialistëve lidhur me hapat e mëtejshme që do të ndërmarrë kjo parti, si për sa i takon axhendës parlamentare, ashtu dhe asaj partiake. Kjo pasi, sikundër dihet tashmë, është më se i qartë ndarja mes linjës zyrtare dhe mendimit ndryshe në PS. Por veç këtij synimi, me sa duket rikonfirmimi i tij në krye të PS-së i dikton dhe ndërmarrjen e një sërë takimesh, nga të cilat shihen qartë balancat brenda radhëve të kampit rozë. Megjithatë, deri tani jo pak eksponentë të kësaj partie kanë dhënë mbështetjen e tyre për kreun socialist. Kjo vijon të jetë e dukshme si në takimin e djeshëm, ashtu dhe në atë të dy ditëve më parë, ku Rama ishte për një vizitë në familjen Agolli së bashku me deputetët e PS-së Eduart Shalsi e Vasilika Hysi. Gjatë bisedës së tyre Rama e Agolli kanë shkëmbyer mendime e ide mbi situatën politike në vend, e sidomos mbi pozicionin e PS-së ndaj zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ndërkohë shkrimtari i njohur Agolli ka preferuar që në fjalën e tij të shigjetojë ashpër ish-kryetarin e PS-së Fatos Nano. “Nano vërtet jeton në Vjenë, në një nga qendrat më të mëdha të kulturës në Evropë, por ai sikur nuk vinte nga Vjena, por nga qenefët e Vjenës. Një keqardhje e madhe ku mund të përfundojë njeriu. Por edhe fjalët, jo vetëm të këqija, por edhe thashetheme, domethënë një diskutim në televizor me thashetheme, ‘filani ka thënë kur dëgjoi që erdha unë’, ‘filani ka thënë kështu’”, - qe shprehur Agolli. Përmes një qëndrimi të tillë patriarku socialist jo vetëm që kritikoi në distancë ish-kryetarin e PS-së, por në të njëjtën kohë la të kuptohet në mënyrë të qartë se ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë kryetarin e sapozgjedhur të Partisë Socialiste, Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›