Vendimi; Dondollaku sërish përballë drejtësisë, do gjykohet nga gjyqtarët e Tiranës
Përballja me drejtësinë shqiptare nuk ka marrë fund për të pandehurin Enver Dondollaku, krahu i djathtë i kapobandës së Lushnjes, Aldo Bare. Një vendim i Apelit të Krimeve të Rënda, i cili e kthente për rigjykim dosjen e Dondollakut për disa krime të kryera në Lushnje, për të cilat është dënuar me 25 vite burg, ka bërë që çështja të rikthehet për rigjykim në Shkallën e Parë, veçse e destinuar si dosje të gjykohet nga gjyqtarët e Shkallës së Parë të Gjykatës së Tiranës. Konsumimi i gjyqtarëve të Krimeve të Rënda ka qenë shkaku që ka gjetur Apeli për prishjen e vendimit, i cili u ankimua edhe nga organi i akuzës, por që nuk u pranua rekursi nga Gjykata e Lartë. Mospranimi i rekursit dërgoi automatikisht çështjen e Dondollakut për gjykim në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda, por që do gjykohet nga një grup gjyqtarësh civilistë të seksionit civil të Gjykatës së Tiranës në ditët në vazhdim. Nuk bëhet fjalë për dënimin me 25 vite burg që mori pak muaj më parë ku ishte i akuzuar përkrah mikut të tij, Aldo Bare, por për akuzat për të cilat u dënuan pak vite më parë grupi i ekzekutorëve të bandës, Dritan Vila, Erion Çiçi, Maks Çela dhe i penduari Petrit Liçi. Në këtë kohë për të mos u zvarritur dosja, Dondollaku u veçua në pritje të letërporosisë nga Italia, për t’u gjykuar i vetëm me gjykim të shkurtuar, duke u dënuar me 25 vite burg. Në atë kohë, me grupin e parë, Dondollaku u akuzua për vrasjen e oficerit të policisë Klenti Bano, bomba e vendosur në stadiumin “Roza Haxhiu”, tritoli i vendosur në shtëpinë e një agjenti krimesh e të tjera vrasje, si ajo e Blendi Haxhiut e Artan Sulçes.