Luftë pas dy grabitjeve, policia greke vret shqiptarin
Greqi- Të dyshuarit për një seri e plaçkitjeve të armatosura të bërë në muajt e fundit në zonat e Fthiotidas, Viotias, dhe Atikës, janë anëtarë të një bande shqiptarësh që ranë në duart e policisë pas përplasjes përgjakshme në afërsi të Thivës, ku mbeti një i vrarë dhe një tjetër i plagosur. Referuar mediave greke mësohet se policia helene ka prova të mjaftueshme se ky grup prej 5 vetash, të gjithë nga Shqipëria, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, janë autorë të grabitjes së dyfishtë në Fthiotida, ku hynë në filianin e Postës dhe rrëmbyen prej andej një shumë të madhe parash. Pas kësaj, ata kanë hipur sërish në mjetin e tyre dhe janë larguar rreth 200 metra ku kanë grabitur filialin e Bankës Bujqësore, duke arritur të grabisnin 6000 euro. Më pas, grabitësit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me një makinë të cilën e kishin vjedhur, për ta braktisur disa kilometra më pas, ku i priste një tjetër automjet.
Ndërkohë, forca të shumta policie kanë shkuar në spital, ku ruhet një prej 5 grabitësve, i cili mbeti i plagosur në këmbë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. Hetuesit e Policisë Greke kanë marrë në pyetje të plagosurit dhe 3 personat e tjerë të arrestuar, ndërkohë që kanë arritur të marrin gjurmët e grabitësit të pestë, i cili mbeti i vdekur. Sipas të dhënave, rezultonte se ai kishte një mandat arresti ndërkombëtar nga Interpoli.
Sipas mediave të shtetit fqinj, gjithçka ka nisur rreth orës 09:40 të mëngjesit të djeshëm, në afërsi të Thivës, kur tre nga grabitësit kanë grabitur një degë të Postës në sheshin qendror dhe më pas degën e Bankës Bujqësore. Menjëherë pas grabitjes, ata kanë grabitur një makinë dhe janë larguar me shpejtësi, ku pak metra me poshtë i prisnin dhe dy bashkëpunëtorët e tjerë. Menjëherë forca të shumta policie u vunë në ndjeke të tyre, duke i ndjekur në drejtim të rrugës që shkon për në Athinë. Gjatë ndjekjes mësohet se grabitësit kanë qëlluar në drejtim të policisë, e cila i është kundërpërgjigjur. Gjatë këtij shkëmbimi zjarri ka mbetur i vdekur një prej grabitësve dhe një tjetër është plagosur në këmbë. Nga ana tjetër, mediat greke ende nuk kanë bërë të ditur identitetin e të arrestuarve dhe të viktimës, të cilët janë autorë të grabitjes së ndodhur paraditen e djeshme në shtetin fqinj, ku arritën të merrni mbi 20 mijë euro.