Certifikohet rezultati përfundimtar i 8 majit, krerët e bashkive dhe komunave nisin zyrtarisht mandatin

KQZ miraton rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Koalicioni i djathtë, 140 mijë vota më shumë se koalicioni i majtë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar zgjedhjet vendore të 8 majit. Mbledhja ka nisur me debate, ndërsa opozita ka bojkotuar mbledhjen. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, në fjalën e tij mbajti një qëndrim tërësisht politik dhe tendencioz në adresë të kryekomisionerit Ristani. Komisionerët, të propozuar nga opozita dhe mbështetës të linjës së saj politike, në momentin kur u ftuan të flisnin në parim mbi projektvendimin, iu rikthyen qëndrimeve politike. Por kjo mënyrë trajtimi e çështjes, u kundërshtua nga Ristani. Pas përcjelljes së këtyre qëndrimeve politike, komisionerët mbështetës të opozitës e braktisën mbledhjen, duke mos respektuar detyrimet e tyre ligjore.
Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi ka kërkuar që të respektohet fjala e partive politike për të diskutuar, edhe pse qëndrimet e tyre ishin tërësisht jashtë rendit të ditës, apo temës me të cilën KQZ thërriti mbledhjen. “Nuk mund t’i ndërpresësh fjalën përfaqësuesit të opozitës. Do ju kërkoja ose të ndërprisni seancën e të rikthehemi, ose jepini fjalën përfaqësuesve të PS-së. Shumë keqardhje për këtë komunikim sepse kryetari me ligj nuk mund t`ia ndërpresë fjalën nënkryetaren. Ndodhem në mënyrë të papritur në këtë mbledhje të kësaj problematike. Nuk mund të ndodhte ndryshe nga i gjithë procesi zgjedhor, këtë pasqyroi edhe kjo mbledhje e fundit e thirrur nga ju për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Kuptova shumë mirë që ju nuk dëshironi që ne të themi fjalën për atë që ka ndodhur në procesin zgjedhor. Akti që kemi është një vendimmarrje që do të marrë vëmendjen time siç kam bërë në çdo raund zgjedhjesh që janë bërë në Shqipëri”- u shpreh Subashi. Nga ana e tij, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, theksoi se debatet për zgjedhjet kanë mbaruar dhe ato nuk janë në rend të ditës. Sipas tij, në rend të ditës është diskutimi në parim për aktin që është diskutuar. “Kam thirrur mbledhjen me rend të ditës shpalljen e rezultatit përfundimtar që do të votohet në dy faza. Ju lutem diskutime për parime, nëse do të diskutoni jashtë rendit të ditës do ju ndërpres fjalën”- u shpreh Ristani. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka vlerësuar në tërësi procesin zgjedhor, duke nënvizuar arritjen e standardeve. Por, mbledhja e KQZ-së, e cila në thelb ishte thjesht formale, pasi të gjithë krerët e bashkive dhe komunave kishin marrë ligjërisht mandatet e tyre, kaloi përmes debateve. Me 4 vota “pro” KQZ miratoi projekt-aktin, i cili shërben si pikënisja zyrtare e mandatit të krerëve të njësive të pushtetit vendor.