Certifikohet sot
Gjashtë ankesat fundit të kandidatëve në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve janë hedhur poshtë si të pabazuara nga Gjykata Supreme, kanë bërë të ditur burime të Express’it.
Vendimet do t’iu dorëzohen palëve të hënën, duke përfshirë edhe PZAP’in dhe KQZ’në, e cila sot pritet të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani nuk ka treguar se a janë hedhur poshtë të gjitha vendimet, por ka konfirmuar se lëndët janë përfunduar dhe ka mbetur vetëm të shkruhet përmbajtja e vendimeve.
“Tri ankesa janë hedhur poshtë të shtunën. Për tri ankesat e fundit është votuar të dielën, mirëpo të hënën shkruhen vendimet”, ka deklaruar Hasani, për Express.
Kryetari i Supremes ka thënë se nuk është në dijeni a janë pranuar apo hedhur poshtë tri ankesat e fundit, derisa ka konfirmuar se të dielën janë shqyrtuar lëndët e një kandidati të Lëvizjes për Bashkim, një të LDK’së dhe Partisë Boshnjake për Aksion Demokratik.
Edhe Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka ka thënë për Express se nëse Gjykata Supreme dhe PZAP’i konfirmojnë se nuk kanë më ankesa lidhur me zgjedhje, atëherë gjatë ditës së hënë do të bëhet edhe certifikimi i rezultatit.
“Kur të marrim konfirmimin se kanë përfunduar lëndët në Gjykatën Supreme dhe PZAP, ne do të certifikojmë rezultatin”, ka thënë Daka.
Certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve mund të bëhet edhe me shumicë të thjeshtë të votave të anëtarëve të KQZ’së.
Megjithëkëtë, pas certifikimit të zgjedhjeve fillojnë procedurat për të thirrur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Shefi i Sekretariatit të KQZ’së, Xhemajl Peqani ka thënë lista përfundimtare e deputetëve do të dërgohet në Kuvend.
“Pas certifikimit bëhet publikimi i rezultateve të të gjithë kandidatëve. Pastaj listën përfundimtare të atyre që kanë fituar postet e deputetëve e dërgojmë në Kuvend”, ka njoftuar Peqani.
Ndërkaq, Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi ka thënë se me rezultatet përfundimtare njoftohet edhe Presidenti, i cili është i obliguar me Kushtetutë të thërrasë seancën në afat prej 30 ditësh.
Pastaj ka sqaruar hapat e tjerë për themelimin e Kuvendit të Kosovës.
“Kryetari i Legjislaturës së fundit dhe Kryesia aktuale merren vesh për agjendën e seancës konstituive. Së pari formohet Komisioni për verifikimin e mandateve, bëhet marrëveshje për ulëset dhe e treta, zbatimi i marrëveshjes për koalicionet”, ka sqaruar Krasniqi.
Për dallim prej mandatit të kaluar, Kuvendi i ri do të ketë Kryetarin dhe pesë nënkryetarë. Ndërkaq, sipas ligjit, partia më e madhe propozon dy kandidatë për Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, ku njëri prej tyre mund të zgjidhet kryetar.
“Partia më e madhe e propozon dy, partia e dytë një, partia e tretë një dhe dy anëtarë nga minoritetet. Së pari zgjedhet Kryetari i Kuvendit me më së paku 61 vota si dhe nënkryetarët e Kryesisë, të cilët po ashtu duhet të kalojnë me së paku me 61 vota ”, ka deklaruar Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Ndryshe, seancën konstituive e drejtojnë deputeti më i vjetër dhe deputeti më i ri.
Në përbërjen e parlamentit, PDK’ja hyn me 34 deputetë, LDK me 27, Vetëvendosja me 14, AAK’ja me 12 dhe AKR’ja me 8 deputetë. Edhe në këtë mandat, pakicat do të kenë 20 vende të rezervuara dhe 5 mandate që i kanë fituar me votë.
Ramushi deputet, Isa jo
Edhe pse nuk është në Kosovë, emri i Liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj do të jetë pjesë e Grupit parlamentar, sepse AAK’ja nuk dëshiron që në vend të tij të futet kandidati i trembëdhjetë në listë.
Ai ka marrë 43 mijë e 49 vota dhe është renditur i pari në AAK.
Nëse brenda gjashtë muajsh, Haradinaj nuk kthehet në Kosovë, atij i humb mandati i deputetit, sikurse ka ndodhur në legjislaturën e fundit.
Ndërkaq, ish-kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj do t’ia shohë hajrin liderit të LDK’së, Isa Mustafa, i cili ka vendosur ta mbajë postin e Kryetari të Komunës së Prishtinës.
Lideri i LDK’së ka qenë i pari në listën e deputetëve të partisë së tij.
Po ashtu, secili deputet që bëhet pjesë e Qeverisë nuk mund të mbajë njëkohësisht edhe postin e deputetit.