E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmet e Kraljit

Brenda dy ditësh, në të njëjtën rrugë, “Kralj Petar”, në veri të Mitrovicës, serbët kanë sulmuar fizikisht tetë shqiptarë, duke u shkaktuar edhe lëndime. Policia nuk ka arritur ende t’i arrestojë fajtorët. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, thotë se sulmet e kanë adresën në Beograd. Nga Express më 07 shkurt 2011 në ora 08:37

Katër të mitur shqiptarë janë sulmuar fizikisht nga një grup personash të paidentifikuar në rrugën “Kralj Petar” (Mbreti Petar), në veri të Mitrovicës, të shtunën.

Patrulla e Policisë së Kosovës fillimisht ishte njoftuar nga tre persona për rastin e sulmit fizik. Ata kishin treguar se njëri nga shokët e tyre kishte mbetur në veri, i sulmuar fizikisht nga një grup i të rinjve serbë.

Njësiti policor, i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka takuar viktimën, një 14 vjeçar, të shtrirë përtokë, me lëndime të dukshme trupore. Atë e kanë transportuar në Shtëpinë e Shëndetit në Mitrovicë, e më pas në QKUK, në Prishtinë, për trajtim të mëtejmë mjekësor.

Nga tre personat, të cilët kanë rrëfyer ngjarjen, policia ka kuptuar se të njëjtit së bashku me viktimën e rastit kishin ecur përmes urës lindore, përkatësisht përmes Lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, për të kaluar përmes urës kryesore të lumit Ibër, në drejtim të jugut të qytetit.

Të rinjtë, duke tentuar të bëjnë një shëtitje në pjesën veriore të qytetit, diku rreth 70 metra larg nga ura kryesore, janë ndjekur nga grupi i të rinjve serbë, ndërkaq njëri nga ta nuk ka arritur t’i shmanget ndjekjes së sulmuesve, me ç’rast është sulmuar fizikisht dhe ka pësuar lëndime në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas raportit mjekësor, viktima, banor i Vushtrrisë, ka pësuar frakturë në këmbën e majtë, e gjithashtu edhe lëndime të natyrës së lehtë në pjesë të kokës dhe fytyrës.

Nuk është raportuar për persona të arrestuar, si autorë të këtij akti kriminal.

Ky sulm është i dyti i kësaj natyre brenda javës. Katër shqiptarë të tjerë janë sulmuar të premten, pikërisht në rrugën “Kralj Petar”, duke pësuar lëndime trupore.

Të dyja rastet janë të regjistruara si vepra kriminale të motivuara mbi urrejtjen etnike, ndërsa besohet se veprimet e tilla janë të organizuara nga grup i strukturuar i të rinjve serbë.

Drejtoria rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë ka kërkuar me përgjegjësi nga stafi udhëheqës i stacionit policor veri në Mitrovicë, që të trajtojë me prioritet identifikimin dhe arrestimin e sulmuesve.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka dënuar dy rastet, duke i cilësuar si sulme ndaj lëvizjes së lirë dhe pranisë së shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës. Ai ka vlerësuar se sulmet janë të orkestruara nga qeveritarët serbë, me qëllim që në atë pjesë të qytetit të krijohet një gjendje e padurueshme për banorët shqiptarë që jetojnë atje.

“Këto sulme adresën e kanë në Beograd dhe në përfaqësuesit e tyre që operojnë në pjesën veriore të Mitrovicës”, ka thënë Kastrati.

Ai ka kërkuar nga autoritetet e sigurisë që të marrin masa ndaj këtyre grupeve serbe që janë duke terrorizuar popullatën shqiptare, e për të cilat janë në dijeni të gjithë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›