Kufiri greko-shqiptar mbyllet, nisin problemet
Shtyhet greva e doganierëve grekë. Punonjësit e pikave kufitare deklaruan mëngjesin e sotëm se do ta vazhdojnë edhe 48 orë të tjera grevën e tyre, duke u shprehur se nuk janë dakord me heshtjen e qeverisë greke lidhur me kërkesat e tyre.
Doganierët grekë e cilësojnë të papranueshëm faktin që qeveria nuk po reagon ndaj grevës së tyre.
Gjirokastër - Në pikat kufitare Shqipëri – Greqi deri më sot nuk ka pasur probleme, por pikërisht sot pritet që të krijohen radhë. Kjo për faktin se njerëzit ishin njoftuar se greva do të zgjaste vetëm dy ditë, ndërsa mosplotësimi i kërkesave të doganierëve nga ana e qeverisë greke çoi në shtyrjen e këtij afati.
Në dogana lejohet të kalojnë vetëm trupat diplomatike, urgjencat dhe ngarkesat me gjë të gjallë.
Greva e doganierëve grekë nisi kohë më parë, pasi ata i kërkuan qeverisë të ndryshonte kushtet ekonomike. E megjithatë, deri më sot qeveria greke nuk ka pasur asnjë reagim, megjithëse greva e doganierëve i ka sjellë shtetit humbje të mëdha.Korçë - Nisin problemet në pikat kufitare me Greqinë. Nga dogana e Kapshticës bëhet e ditur se janë rreth 40 maune në pritje për të hyrë në tokën shqiptare. Pritja i detyrohet faktit që drejtuesit nuk kishin dijeni për vazhdimin e grevës së doganierëve dhe ashtu sicc ishin lajmëruar prisnin që pikat kufitare të fillonin funksionimin e tyre mëngjesin e sotëm në orën 07:00.
Ndërkohë bëhet e ditur se lëvizja e këmbësorëve në pikat kufitare vazhdon rregullisht ndërsa fluksi i njerëzve është i paktë.
Burimet nga pikat doganore bëjnë të ditur se gjatë dy ditëve të fundit kanë hyrë dhe dalë rreth 2100 këmbësorë.