Një pitbull me buzëkuq
ZGJEDHJET NË SHBA
Është e re, luftarake, por mbi të gjitha, është grua. Sarah Palin është asi nën mëngë që McCain fshihte me kujdes dhe me të cilin tani përpiqet të fitojë një ndeshje që shfaqet mjaft e komplikuar. Një 72-vjeçar i stilit të vjetër (McCain) dhe një guvernante tepër ambicioze për të ndenjur mes akujve të Alaskës (Palin); kjo është skuadra që republikanët mbështesin për të mposhtur profetin e zi, atë fenomen të quajtur “Obama”, që rrezikon të përmbysë planet e ''Partisë së Madhe të Vjetër''.
Po kush është në të vërtetë Sarah? Nga na mbiu kjo 44-vjeçare elegante që pati zotësinë të tërhiqte vëmendjen e medias?
E përshkruan veten si një pitbull me buzëkuq: look agresiv, aftësi e rrallë për të mbajtur gjallë interesin e publikut dhe për të nxjerrë nga buzët, saktësisht, atë që njerëzit duan të dëgjojnë.
Por nuk është e lehtë ta mbyllësh rigorozisht brenda skemave, figura e saj është shumëfytyrëshe dhe në asnjë rast nuk të lë indiferent.
Gjahtare e përbetuar (në moshën 10-vjeçare ka vrarë lepurin e saj të parë duke goditur nga veranda e shtëpisë), është absolutisht kundër çdo kufizimi mbi tregtinë e armëve.
Mishëron për mrekulli moton republikane: ''Zoti, Atdheu dhe Familja'', por kjo nuk e ka penguar të rrëshqasë në të tria aspektet. Sa për fillim, e ka cilësuar luftën në Irak si të urdhëruar nga Zoti, e më pas ka korrigjuar menjëherë gafën, pa hequr dorë ama nga thelbi i saj. Sigurisht që i kemi pasur dhe luftërat e shenjta, por kanë kaluar nëntë shekuj dhe s'është rasti t'i përsërisim.
Dhe ka qenë pikërisht politika e jashtme ajo që i ka rezervuar surpriza të hidhura. Në intervistën e parë të dhënë si kandidate për Zëvendëspresidente, shpalosi imazhin e një gjimnazisteje që ka harruar të bëjë detyrat e shtëpisë: pyetja ishte e thjeshtë dhe kishte të bënte me doktrinën “Bush”, pra me luftën paraprake. Ajo shpëtoi për një qime përmes së drejtës së mbrojtjes, por duke gabuar përgjigje e duke mbledhur shpatullat e gjendur dukshëm në vështirësi.
Ajo çka dimë për të tani, është që di të përdori mirë pushkët, të mbajë fjalime, dhe të pushojë punonjësit që nuk preferon.
Problemi është që akoma nuk e kuptojmë dot nëse një grua e bukur fizikisht, në kurrikulumin e së cilës spikat qeverisja e një fshati me popullsinë e Përmetit dhe e një shteti me popullsinë e Tiranës, mund të jetë në gjendje (në rast se nuk do mundet McCain) të bëhet Presidente e SHBA dhe të kontrollojë 6500 raketa bërthamore dhe një ushtri prej 1 milionë e gjysmë burrash që janë gati për luftë.
Problemi nuk është aspak i vogël, dhe zgjidhja nuk është aspak e qartë.