Cërvenkovski: “Gruevski po minon negociatat me Greqinë”
Presidenti maqedonas, Branko Cërvenkovski ka pranuar publikisht se mes tij dhe kryeministrit Nikolla Gruevski ka dallime të mëdha për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Greqinë për emrin kushtetues të Maqedonisë. Presidenti Cërvenkovski i bëri komentet pas takimit të tij me kryeministrin, Gruevski, takim që presidenti e vlerësoi si të dështuar. Sipas presidentit Cërvenkovski, kryeministri priret të minojë negociatat me Greqinë fqinje.
“Më vjen keq që më duhet të them publikisht se kryeministri po ballafaqohet me një lloj ndeshjeje personale politike edhe kur bëhet fjalë për një nga çështjet kryesore për ardhmërinë e shtetit tonë. Ai nuk sillet si kryeministër i vërtetë dhe si person i përgjegjshëm për situatat në vend, përkundrazi ai vetëvetes ia ka caktuar rolin e opozitës dhe tenton që t’i shmanget përgjegjësisë për rrjedhën e gjithë procesit”,- tha Cërvenkovski. Kabineti i kryeministrit i ka cilësuar vlerësimet e presidetit si akuza ofenduese për qëllime të ndërtimit të karrierës politike. Ndërkaq, kryeministri, Nikolla Gruevski më herët nuk e komentoi përmbajtjen e bisedimeve me presidentin.
1 Tetor 2008