E Diel, 1 Nëntor 2026

Arsimi i Lartë, probleme dhe perspektiva



Dr. Lekë Sokoli*

Në përgjigje të ftesës për debat që kolegët Nora Malaj dhe Albert Gjoka bënë në numrin e djeshëm të gazetës “Albania” mbi Maturën Shtetërore dhe Arsimin e Lartë në Shqipëri, dëshiroj të jap edhe unë disa mendime. Do ta nis pikërisht me vlerësimin publik dhe institucional mbi arsimin. Ka ardhur koha që në hierarkinë e prioriteteve arsimi të renditet i pari. ”I pari është arsimi” – ka qenë motoja kryesore e fushatave elektorale të zhvilluar në SHBA dhe Angli, të paktën nga Klintoni (i parë) te Obama - kandidat, nga Bleri (i parë) te kryeministri aktual Gordon Braun. Pra, arsimi vendoset si prioritet në SHBA, që konsiderohen si “universiteti i botës”, apo në Britani, me një traditë gati-gati unikale në zhvillimet universitare. Në një vend ende të pazhvilluar si Shqipëria, kjo, sipas meje, nuk duhet vënë në diskutim.
Modelet dhe strategjitë
Por, a mjafton që arsimi të shndërrohet në prioritet të maxhorancës së radhës? Apo duhet diçka më shumë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje mbase ka nevojë për pak analizë. Kam konstatuar se analistët dhe opinionistët u referohen shumë përvojës së të tjerëve. Kjo është normale. Veçse unë, me njohjen që kam, nuk konstatoj që të ketë përvoja universale për t’u kopjuar. Të marrim arsimin alternativ. Ndodh që në një vend (Perëndimor) të mos pushojnë boritë e reklamimit të universiteteve jopublike, kur në një tjetër ato nuk pranohen fare. U dogj Athina, për shembull, nga vetë studentët pas miratimit të ligjit që do t’i hapte rrugë arsimit të lartë jopublik.
Më duket se ka vend që t’u referohemi edhe vendeve jotradicionale lidhur me zhvillimin e arsimit të lartë, por që aktualisht kanë progres të madh. Në kërkim të një përvoje jotradicionale, do t’i referohemi Dubait, kryeqendra e një vendi të vogël, krejt të panjohur pak dekada më parë, por që ka ritmet më të larta të zhvillimit në botën e sotme. Aktualisht ai ka vendosur jo një, por shumë rekorde botërore në fushën e zhvillimit. Por ama vetëm 10 për qind e popullsisë atje është me diplomë universitare (ne jemi diku te 7-8 përqindëshi). Kjo nuk e ka penguar këtë vend çudi që të zhvillohet shpejt. Dhe rritja e përqindjes së të diplomuarve shkonte në harmoni me zhvillimin. Sot atje ka 36 universitete (kanë zbarkuar universitetet e mëdha të botës), nga të cilat vetëm 4 janë publike. Të tjerat janë të gjitha private. Nëse dikush do të deklaronte (në media apo gjetkë) se duhen mbyllur universitetet jopublike (siç ndodh në Shqipëri), me siguri do ta merrnin për të lajthitur.
Standardet dhe cilësia
Pra, së pari, ne duhet të shohim e të njohim, por në fund të fundit duhet të krijojmë përvojën tonë, modelin tonë të zhvillimit universitar, strategjinë tonë. Së dyti, “tregu” universitar tek ne është zhvilluar shpejt. Kjo të paktën nga pikëpamja sasiore. Në pamundësi për të listuar universitetet e sotme, unë po jap vetëm një shembull: universiteti (privat) ku unë jap mësim ka, në total, më shumë studentë nga ç’kishte Universiteti i Tiranës (atëherë i vetmi në Shqipëri) në kohën kur unë jam diplomuar.
Çështja është, gjithnjë sipas meje, që të mos rendim më pas sasisë. Të mos lejojmë që sasia të na shndërrohet në cilësi, siç po ndodh në shumë fusha të jetës së sotme. Pra, ka ardhur koha që të rendim pas cilësisë. Kjo do të thotë që të vihemi në kërkim të standardeve, të vendosim standarde, të operojmë vetëm me standarde. Me standarde unike dhe jo me dy apo më shumë standarde, siç ndodhi me universitetet në Kosovë. Me standarde jo vetëm në hyrje (matura shtetërore etj.), por kryesisht me standarde finishi, në dalje. Kjo do të thotë që të ketë edhe universitete “jo-kaluese”, me diploma të vlerësuara nën minimumin e lejuar. Kjo do të thotë, më tej, që të aplikohen kritere klasifikimi të përvitshëm të universiteteve, apo edhe fakulteteve të veçanta e departamenteve brenda tyre. Gjithnjë nga pikëpamja e cilësisë akademike.
Konstatimi në terren
Unë kam vite që vrojtoj ecurinë e Arsimit të Lartë në Shqipëri. Madje nga një pozitë e trefishtë: nga pozita e studiuesit, e pedagogut dhe prindit. Personalisht jam kundër (para)gjykimit se në Shqipëri nuk ka universitete cilësore. Të tilla ka, siç duket se ka edhe nga ato shkolla të larta nuk e meritojnë emrin “shkollë”. Pra, sipas meje, vërtitemi midis skajeve, midis së mirës dhe të keqes së skajshme. Kam vrojtuar dhe monitoruar sidomos shkollimin e vajzës sime, në njërin nga institucionet e reja të Arsimit të Lartë, një institucion tanimë 5-6-vjeçar. Shkonte në shkollë me shumë dëshirë. Kjo nuk ndodhte në gjimnaz, ndonëse ishte një ndër gjimnazet e mira të Tiranës. U përgatit mirë, fitoi që në shkollë një vend pune të cilin po e përballon krejt normalisht.
Përkundrazi, kam konstatuar se ka ende shumë fiktivitet, për të mos thënë shumë prostitucion akademik. Sot, me mijëra burra e gra janë venë në kërkim të një diplome të pamerituar për djalin/vajzën e tyre. Më ka qëlluar të intervistoj individë të ndryshëm për universitetet. Por disa më kanë sugjeruar që në vend të fjalës “universitet” të përdor “qendër e shitjes së diplomave...”. Ka vend që të vihemi në kërkim të rrugëve për shndërrimin e shkollës së lartë në shkollë të vërtetë. Duke filluar me idetë për një master-plan kombëtar, për një konsensus kombëtar për arsimin. Për të vijuar me vullnetin politik, akademik e qytetar.

*Autori i shkrimit është drejtor i Institutit të Sociologjisë

1 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›