Tadiç pro ndarjes së Kosovës, reagon Prishtina zyrtare
Pas pretendimeve për bashkim me Kosovën, presidenti serb Boris Tadiç ka përmendur për herë të parë opsionin e ndarjes së shtetit të ri, si një zgjidhje që do të vinte pas ezaurimit të plotë të përpjekjeve diplomatike. Tadiç është shprehur për televizionin serb se Beogradi kurrsesi nuk mund të dalë i humbur në këtë proces dhe se për momentin, ndarja e Kosovës nuk është në “rend të ditës” dhe se Beogradi ende dëshiron të kërkojë një zgjidhje në kuadër të konceptit të vetëqeverisjes më të madhe të mundshme për Kosovën brenda Serbisë. “Jam i gatshëm të mendoj edhe për këtë opsion, nëse dështojmë me të gjitha mundësitë e tjera që janë të shumta. Ka ende shumë mundësi të gjejmë një zgjidhje në kuadër të termit autonomi substanciale. Mirëpo, nëse dështojnë të gjitha mundësitë, atëherë mund të kalojmë në këtë opsion”,- tha Tadiç. Pas kësaj deklarate ka reaguar menjëherë Prishtina zyrtare. Udhëheqësit e institucioneve i kanë konsideruar fjalët e presidentit serb Tadiç si të papranueshme. Presidenti Fatmir Sejdiu u shpreh se Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht. Ndërsa Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi është shprehur se kjo nuk është tentativa e parë e Serbisë për të ndarë Kosovën edhe pse kufijtë e shtetit po pranohen në bashkësinë ndërkombëtare.
1 Tetor 2008