Bush, biseda telefonike me Mekein dhe Obamën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh W. Bush ka zhvilluar biseda telefonike me dy kandidatët për Shtëpinë e Bardhë, Xhon Mekein dhe Barak Obama lidhur me krizën financiare. Lajami u konfirmua nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Frato duke i cilësuar bisedimet tejet konstruktive. Sipas tij, propozimet e dy kandidatëve janë vlerësuar nga presidenti Bush. Ndërkohë Bush ka mbetur i zhgënjyer nga vota kundër e Dhomës së Përfaqësuesve ndaj planit qeveritar për fondin prej 700 miliardë dollarësh. Ky fond ishte propozuar për nxjerrjen nga kriza të institucioneve financiare amerikane. Presidenti Bush tha se ligji masiv i shpëtimit mbetet jetësor sepse është i përpjesshëm me madhësinë dhe shtrirjen e krizës ekonomike me të cilën janë duke u ndeshur Shtetet e Bashkuara. “Ishte e madhe sepse ne kemi një problem të madh”,- është shprehur Bush. Presidenti i SHBA-ve foli nga Zyra Ovale në Shtëpinë e Bardhë rreth një orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve hodhi poshtë paketën e shpëtimit, e cila kishte qenë një produkt i maratonës së negociatave për ditë me rradhë midis ligjvënësve të rëndësishëm dhe përfaqësuesve të komisionit ekonomik të Presidentit. Bush tha se ai dhe këshilltarët e tij do të vazhdojnë të punojnë me Kongresin, siç u shpreh ai, “për ta përballuar këtë situatë ekonomike”. Javët e fundit janë vënë re një numër dështimesh të disa bankave amerikane, institucioneve huadhënëse, kompanive të sigurimeve dhe investimet me shtëpitë duke shtuar pronat e patundura në tregun e shtëpive në Shtetet e Bashkuara, huatë e të cilave nuk po shlyhen nga pronarët. Paketa shpëtuese ishte parashikuar që t’i jepte mundësi qeverisë federale të blinte financimet e këqija, duke lehtësuar peshën e rëndë mbi institucionet huadhënëse, me shpresën se do t’i jepte fund krizës financiare, e cila ka goditur rëndë aktivitetin ekonomik.
1 Tetor 2008