E Diel, 1 Nëntor 2026

Cërvenkovski nesër firmos dekretin për gjuhën shqipe

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski firmosjen e dekretit do ta bëjë menjëherë nesër në ditën e parë të punës pas pushimeve që kishte në bregdetin turk. Presidenti Cërvenkovski ka ndryshuar qëndrimin e tij, pasi më parë kishte paralajmëruar mosdekretimin e këtij ligji, në rast se Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) në opozitë do të kthehej në Parlamentin e Maqedonisë. Mosdekretimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve ishte një nga kushtet kryesore për rikthimin e PDSH në Parlament. Kjo e fundit paralajmëroi se do të kthehet në institucionin legjislativ më 18 gusht, pas përfundimit të pushimeve vjetore. Zyrtarë të kësaj partie paralajmëruan se do t`i dorëzojnë propozim-ligjin e tyre për përdorimin e gjuhës shqipe, me të cilin parashikohet zyrtarizimi i gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni, sipas modelit të përdorimit të gjuhës serbe në Kosovë.
Ligji
"Ligji u miratua për herë të dytë në Parlamentin e Maqedonisë në pajtim me procedurën juridiko-kushtetuese, pas njoftimit paraprak me shkrim nga Presidenti. Në bazë të kësaj, Presidenti ka vendosur që të mërkurën, ditën e parë të punës pas mbarimit të pushimit vjetor, ta nënshkruajë dekretin për hyrjen në fuqi të këtij ligji",- thuhet në kumtesën e kabinetit të Presidentit. Sipas kumtesës, ligjet për marrëdhëniet e punës, lobimin, avokaturën, shpronësimin dhe energjetikën, u miratuan për herë të dytë në Parlament "në kundërshtim me procedurën, pa marrë paraprakisht njoftimin me shkrim nga Presidenti" dhe për këtë arsye ai nuk do t i nënshkruajë dekretet për hyrjen e tyre në fuqi. Për të kapërcyer gjendjen e krijuar, Cërvenkovski i ka propozuar kryetarit të Parlamentit, Trajko Veljanovski, që pesë ligjet e diskutuara të shqyrtohen përsëri në seancën e parë të rregullt. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), në koalicionin qeverisës e ka vlerësuar Ligjin e përdorimit të gjuhëve, të miratuar në fund të korrikut nga Parlamenti i Maqedonisë. Sipas BDI-së, "ky ligj përbën bazën juridike të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni". Nga ana tjetër, përfaqësues të Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë (PDSH, në opozitë), kanë deklaruar se ligji i përdorimit të gjuhëve "nuk e zyrtarizon gjuhën shqipe" dhe se ai "bie ndesh me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën".
Ahmeti
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim(BDI), Ali Ahmeti, deklaroi se nuk dëshiron të jetë pjesë e konfliktit të fundit midis Presidentit dhe Kryeministrit në Maqedoni. "Nuk dua të jem pjesë e këtyre kontradiktave, sigurisht që nuk do të dëshiroja që të kishte kontradikta të theksuara në mes të institucionit kryeministër dhe kryetar shteti, por megjithatë gjëra të tilla ndodhin jo vetëm këtu tek ne, ndodhin edhe në vende të tjera, kjo është pjesë e demokracisë ku shfaqen mendime edhe të kundërta, por besoj se për interesat e shtetit, për interesat madhore do të arrihet mirëkuptim mes këtyre dy institucioneve", - deklaroi Ahmeti. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i bëri thirrje PDSH, si parti opozitare, që të kthehet në Parlament, për të dhënë kontributin e saj për të zgjidhur çështjet e hapura të shqiptarëve. Ahmeti paralajmëroi se shumë shpejt do të miratohet ligji për përkujdesje institucionale për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së.
"Është çështje kohe se kur do të vihet për zgjidhje edhe zgjidhja e statusit legal të të gjithë të dëmtuarve nga lufta e vitit 2001. Mendoj që këto hapa pozitivë do të ndiqen edhe më tej me veprime konkrete ", - deklaroi Ahmeti.
Ky lajm është publikuar: 13/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›