Cërvenkovski pritet t`i japë mandatin Gruevskit
Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski që nesër pritet t`i japë mandatin liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski për formimin e koalicionit qeveritar.
Me konstituimin e djeshëm të Parlamentit, presidenti është i detyruar sipas Kushtetutës që në afat prej 10 ditëve t`i japë mandatin liderit të parties, e cila ka fituar shumicën e deputetëve.
Mandatari për formimin e Qeverisë, Nikolla Gruevski në afat prej 20 ditëve duhet të propozojë përbërjen e re të Qeverisë dhe t`i dorëzojë Parlamentit për votim.
Sipas procedurave kushtetuese, mbledhja e re parlamentare për votimin e Qeverisë së re caktohet pas 15 ditëve, ndërsa sipas afateve më 6 gusht, qeveria e re duhet të marrë besimin e shumicës së Parlamentit.
Përbërja e re parlamentare u konstitua dje, ku u verifikuan mandatet e 114 deputetëve si dhe u zgjodh për kryetar të Parlamentit, Trajko Veljanovski nga VMRO-DPMNE. Ai u mbështet nga partia e tij dhe BDI, ndërsa LSDM ishte e përmbajtur gjatë votimit.
PDSH nuk mori pjesë në konstituimin e djeshëm të Parlamentit të ri dhe se arsyeja ishte që kjo parti do të bojkotojë legjislativin dhe nuk njeh rezultatet e rivotimit të 15 qershorit. Dita e parë e punës e përbërjes së re parlamentare fillon të hënën.