Vrau 53-vjeçarin në Bulqizë, në kërkim autori
Bulqizë- Policia e Bulqizës ka shpallur në kërkim autorin e vrasjes së ndodhur një natë më parë, pasi ka bërë identifikimin e tij. Sipas burimeve zyrtare mësohet se autori është Halil Gjika, i cili tashmë është person në kërkim. “Gjika është në kërkimin e policisë, kurse Ledion Hushi u arrestua për bashkëpunim në vrasje”- thanë burimet policore.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë, kur një bllokim rruge me makinë dhe një sherr banal që e ka shoqëruar këtë rast, çoi në vdekjen e 53-vjeçarit Fadil Doda dhe plagosjen e një tjetri. Fillimisht konflikti ka nisur më zënkë, të shara dhe përleshje fizike, por që më pas është transformuar në përleshje me armë në periferi të këtij qyteti.
Mësohet se Fadil Doda është konfliktuar me shtetasin Esat Tamçi, pasi ky i fundit i kishte bllokuar rrugën me makinë në qendër të qytetit. Në këto momente kanë filluar të sharat në mes tyre e për të vazhduar më pas me përleshje fizike. Mësohet se Fadil Doda kanë qenë i shoqëruar në ato momente nga vëllezërit Halil dhe Adem Gjika dhe Hidajet Hoxha.
Me ndërhyrjen e njerëzve të rastit përleshja është mbyllur, por jo mllefi për ta vazhduar më tej, pasi palet në atë konflikt e kanë zhvendosur atë më pas në periferi të qytetit.
Sipas policisë 53 vjeçari Fadil Doda ka zbritur nga makina së bashku me Halil Gjikën, Adem Gjikën, Hidajet Hoxhën dhe Albert Petin, për të nisur zënkën me Esat Tamçin, kësaj radhe ishte prezent dhe vëllai i këtij të fundit Bajram Tamçi.
Gjatë përleshjes është dëgjuar dhe një krismë arme dhe sipas policisë mendohet se Doda është plagosur nga shoku i ngushtë i tij Halil Gjika ne menyre aksidentale. Nga shkrepja e armës ka mbetur i plagosur dhe Adem Gjika, vëllaj i Halil Gjikës.
Ka qenë ndërhyrja e policisë që e ka shmangur konfliktin e mëtejshëm, ndërsa i plagosuri Fadil Doda është dërguar në spitalin e Bulqizës ndërsa më pas me helikopter për në spitalin ushtarak të Tiranës, por rrugës ka gjetur vdekjen. Ndërkaq Adem Gjika është dërguar në spitalin e Burrelit ku ndodhet nën observacionin mjekësor jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë autori i krimit Halil Gjika, i cili ka mundur t’i shpëtojë arrestimit, pasi është larguar në drejtim të Burrelit. Postblloqet e policisë janë ngritur përgjatë këtij aksi por pa mundur të bëjnë ende ndalimin e tij.