Çështja “Beleri”/ GJKKO e la në burg, reagon Ministria e Jashtme greke

Vendimi i GJKKO për të lënë në burg kryetarin e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin, ka nxitur sërish reagimin e Greqisë. Ministria e Jashtme greke ka dalë me një deklaratë duke e konsideruar këtë vendim në shkelje të ligjit dhe të respektimit të të drejtave politike.
Po ashtu, MEPJ greke vlerëson se vendimi i GJKKO është në kundërshtim me rregullat e BE-së, të cilat sikurse theksohet në deklaratën zyrtare, duhen respektuar nga qeveria shqiptare.
“Vendimi i sotëm i një gjykate shqiptare, e cila tre muaj pas arrestimit dhe burgimit të tij rrëzon kërkesën për lirimin e kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri dhe pengon betimin e tij si kryetar i zgjedhur i Himarës, nuk është në përputhje me parimet e rregullit të ligjit, prezumimit të pafajësisë dhe respektimit të të drejtave politike të të gjithë qytetarëve. Është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me acquis europiane, të cilën autoritetet shqiptare duhet ta respektojnë rreptësisht”, thuhet në deklaratë.
/rtsh.al/