E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cështja e emrit të Maqedonisë, Nimic takime të ndara

NJU JORK-Ndërmjetësi i KB-së në procesin për zgjidhjen e kontestit për emrin ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic mbrëmjen e së hënës pati takime të ndara në Nju-Jork me përfaqësuesit e të dy vendeve, Zoran Jolevski dhe Adamantios Vasilakis.

Mediat greke, duke iu referuar burimeve diplomatike në KB, lajmëruan se Nimic po shqyrton mundësinë që në shkurt të vizitojë Shkupin dhe Athinën.

Ambasadori Vasilakis, siç transmeton agjencia ANA-MPA, pas takimit ka deklaruar se bisedimet ishin të dobishme dhe se Greqia i mbështet përpjekjet e Nimicit për aktivizim të procesit që po zhvillohet nën patronatin e KB-së.

"Greqia vazhdimisht angazhohet për gjetjen e zgjidhjes bashkarisht të pranueshme sipas pozicioneve të qarta të parashtruara nga Qeveria e saj. Greqia merr pjesë në proces me pozicione konstruktive dhe e pret të njëjtën edhe nga Qeveria në Shkup. Akuzimet dhe sulmet nuk kontribuojnë dhe nuk janë në interes të asnjërës palë. Ajo që nevojitet është vullneti politik nga të dyja palët, ndaj çka Athina është e gatshme", deklaroi Vasilakis.

Ai mohon se në takimin me Nimicin është bërë fjalë për aktvendimin e Gjykatës ndërkombëtare në Hagë, në favor të Maqedonisë.

"Vendimi gjyqësor nuk ndikon dhe nuk ka lidhje me procesin negociues në KB. Gjykata u bëri thirrje të dy palëve që të angazhohen në negociata me vullnet të mirë, në mënyrë që të arrihet deri tek zgjidhja. Ky është konkludimi që e arritëm me ndërmjetësin Nimic, përkatësisht se të dyja palët duhet të mbeten të përkushtuara në proces", tha Vasilakis.

Ambasadori Jolevski, pas takimit nuk dha deklaratë për mediumet, por siç paralajmëroi paraprakisht, Nimicit ia ka transmetuar qëndrimin se Maqedonia mbetet që në mënyrë konstruktive të marrë pjesë në procesin për gjetjen e zgjidhjs e cila nuk do të prekë identitetin dhe dinjitetin e popullit të Maqedonisë.

Është parashikuar që Methju Nimic sot të takohet sërish me ambasadorët Jolevski dhe Vasilakis.

(d.b/MIA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›