E Diel, 1 Nëntor 2026

Champions Sot Bajern i “gjymtuar” kundër Mançesterit

Autori i Lajmit: Redaksia

MYNIH- Për Bajernin e Mynihut, përballja e çerekfinaleve të Champions League ndaj Mançester Junajtid nuk mund të vinte në një moment më të keq. Bavarezët u mundën 2-1 të shtunën në kampionat nga Shtutgarti, ndërsa nuk do të kenë të gatshëm as Arjen Roben, që ka pësuar një tërheqje muskulare në këtë takim. Po ashtu, Bastian Shvajnstajger është i pezulluar, çka i shton problemet për trajnerin Luis Van Gal. Përballë tyre sot do të jetë Mançesteri, një ekip nga i cili Bajerni është mundur 2-1 në finalen e vitit 1999, falë dy golave në kohën shtesë. Sipas trajnerit Van Gal, Bajerni nuk ka vazhdimësinë e “Djajve të Kuq” në Champions League, megjithatë kjo skuadër është në gjendje të surprizojë këdo. “Ne mund të surprizojmë çdo skuadër, besoj se mund ta bëjmë këtë, - deklaroi holandezi. – Bajerni nuk është ende në nivelin e Mançesterit, por për një ndeshje ne mund të luajmë si të barabartë”. Van Gal konfirmoi gjithashtu se Roben nuk do të luajë, pasi sipas tij, futbollisti nuk është në 100 % të formës. “Roben nuk kishte një dëmtim të vërtetë, por ju i dini këto probleme, - sqaroi Van Gal. – Ne po mundohemi që ai të jetë në gjendje të luajë, por nuk mund të marr rreziqe të mëdha, kështu që do ta hedh në fushë vetëm kur të jetë në maksimum”. Në fund, tekniku i skuadrës bavareze bëri edhe një koment për sulmuesin më të rrezikshëm të Mançesterit, Uejn Runin. “Runi mendoj se është një super futbollist dhe ende është shumë i ri. Që kur ishte më i vogël ai kishte një vizion të qartë për lojën dhe tani e ka zhvilluar atë”, deklaroi më tej Luis Van Gal. Van Gal do ti besojë kroatit Oliç, i cili bashkë me Riberi do luajë pas krahëve të dyshes sulmuese Myler-Klose.

Varen nga Runi

Arjen Roben e ka përshkruar Mançester Junajtid-in si ekip të një futbollisti që varet kryesisht nga shkëlqimi i sulmuesit Uejn Runi. Mesfushori i Bajern Mynihut pritej të përballej me kampionin e Anglisë ditën e sotme, për herë të parë prej largimit nga Premierliga tri vjet më parë. Djajtë e Kuq janë shfaqur si fuqi në Ligën e Kampionëve qe kur holandezi kaloi nga Çelsi në Real Madrid më 2007, por ai tani beson se ata janë bërë të varur nga Runi pas largimit të Kristiano Ronaldos në verën e vitit të kaluar. Ylli anglez ka shënuar 33 gola në të gjitha garat këtë sezon dhe Roben është i sigurt se çelësi i fitores ndaj Mançester Junajtid është ndalja e Runit. “Mançester Junajtid nuk është i paprekshëm. Nëse mediat duan ti shohin si favoritë, atëherë kjo na përshtatet neve, sepse i gjithë presioni do të jetë mbi ta. I kam parë në televizion disa herë në kohën e fundit dhe mendoj se nuk janë të fuqishëm sikur në dy vitet e kaluara. Runi ka qenë fenomenal këtë sezon”, - tha Roben për revistën angleze, “News of the World”. “Por, për momentin duket se ai është zgjidhja e vetme e tyre: Ai është bërë ylli i ekipit pas shitjes së Ronaldos, verën e kaluar, por ne jemi të gatshëm ta ndalim. Ata janë pothuajse ekip i një futbollisti, andaj mbrojtësit tanë do të japin maksimumin në 180 minuta”, - përfundoi ai.

Gigs: Do jetë e vështirë

Mesfushori i Mançester Junajtid, Rajan Gigs, pranon se atij do ti rizgjohen kujtimet e finales emocionuese të vitit 1999, kur Junajtid të takohet me Bajernin në Allianz Arena ditën sotme.
“Nuk mund ta besoj, kanë kaluar 11 vjet. Ishte nata më e bukur e jetës time ashtu si dhe për tifozët. Ai takim do të rikthejë emocionet. Ne do të tentojmë të fitojmë me atë rezultat, por natyrisht jo aq vonë sikurse në atë takim”, - është shprehur anësori veteran. Junajtid e ka mposhtur vetëm një herë Bajernin, në shtatë ndeshjet e fundit dhe Gigs shprehet i befasuar me historinë. “Jam paksa i befasuar me historinë, por gjithnjë ka qenë e vështirë. Zakonisht është vështirë ndaj skuadrave gjermane sidomos ndaj më të mirëve. Ne e kemi fituar Ligën e Kampionëve tri herë, kurse ata katër herë. Po flasim për dy klube me histori në këtë garë me lojtarë të mëdhenj në një spektakël të paparë futbollistik”, - ka thënë Gigs

Ky lajm është publikuar: 30/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›