E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions Conte i skualifikuar

Pas pezullimit në Itali, trajneri i Juventusit Antonio Conte është i përjashtuar edhe nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare. Ashtu si parashikohej, skualifikimi ka hyrë automatikisht në fuqi dhe për dhjetë muaj, tekniku nuk do të jetë në gjendje të drejtojë skuadrën jo vetëm në Serinë A, por edhe në kupat e Europës.

Konfirmimi zyrtar ka ardhur nga FIFA, që nëpërmjet një letre zyrtare në Federatën Italiane të Futbollit bënte të ditur se prej dënimit për denoncim të munguar në skandalin e basteve, Conte nuk do të jetë në gjendje të drejtojë Juventusin edhe në Champions League, apo aktivitete të tjera ndërkombëtare.

Kjo vjen si një tjetër goditje e rëndë për trajnerin e “Zonjës së Vjetër”, i cili ndërkohë vazhdon betejën ligjore për heqjen e dënimit të dhënë nga drejtësia sportive në Itali.

“Duke u bazuar në nenin 136 të Kodit të Disiplinës, Presidenti i Komisionit të Disiplinës së FIFA-s ka vendosur që skualifikimi prej dhjetë muajsh, i vendosur nga Federata Italiane për trajnerin e Juventusit, Antonio Conte të jetë në fuqi edhe për të gjitha aktivitetet ndërkombëtare të futbollit”, theksohej në deklaratë.

Aty theksohej se “skualifikimi i përfshin të gjitha ndeshjet, kombëtare dhe ndërkombëtare, zyrtare dhe miqësore”. Megjithatë, drejtuesi i stolit ka ende shpresa që ta drejtojë Juventusin në aktivitetin më prestigjioz për klube.

Në fakt, FIFA nënvijëzonte se “nëse Conte do të fitojë Apelin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, skualifikimi do të mund të hiqet” në rast se vendimi respekton të gjitha rregullat e përcaktuara nga institucioni që drejton futbollin botëror.

Vendimi i Disiplinorit të FIFA-s për të skualifikuar lojtarë, trajnerë apo zyrtarë nga aktivitetet ndërkombëtare, pas pezullimeve nga federatat përkatesë ka nisur të përdoret prej shkurtit 2012, ku më parë ndëshkime të ngjashme individuale ishin dhënë në Finlandë, Kroaci, Korenë e Jugut dhe Turqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›