E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga Tirana barazon ne Durres

Java e tretë e Superligës është hapur me sfidën ndërmjet Teutës dhe Tiranës. Dy skuadra me objektivin për të luftuar për titullin, por që në këtë start të sezonit ende nuk duken të stabilizuara. Kjo mbi të gjitha prej problemeve në stol që kanë pasur të dyja skuadrat. Dhe barazimi 1-1 në fund të ndeshjes duket se i ka kënaqur disi të dyja skuadrat, edhe pse Teuta mund të kishte shënuar më shumë.

Te durrsakët ka debutuar zyrtarisht Gentian Begeja, që mori drejtimin e ekipit pas shkarkimit të Likës, ndërsa drejtori teknik Alban Tafaji ka vazhduar të drejtojë Tiranën, në pritje të Lekbellos, që do të zyrtarizohet në krye të stolit vetëm të hënën.

Teuta e nis vrullshëm sfidën, me dëshirën që të reagojë në fushë pas turpërimit 4-1 në Gjirokastër. Në minutën e pestë, Nika shpërdoron në mënyrë të pabesueshme një mundësi të shkëlqyer, por gabimi i tij kompensohet vetëm pak sekonda më pas, pas një goli të shkëlqyer të debutuesit Alfred Deliallisi.

Nga ana e saj, Tirana kërkon të reagojë pas pësimit të rrjetës së parë sezonale, megjithatë më pranë golit ishte sërish Teuta me Daniel Xhafajn. Në të 23-ën, sulmuesi vlonjat mund të kishte dyfishuar shifrat, por devijimi i tij përplaset në shtyllë. Fakti që durrsakët nuk arrijnë ta mbyllin ndeshjen vë në lëvizje bardheblutë, që e mbyllin pjesën e parë të lojës me tentativën e Morinës, së neutralizuar nga Rizvani.

Megjithatë është vetëm çështje kohe përpara se Tirana të gjejë golin dhe barazimi vjen në të 64-tën me Ahmatajn, që rikthen barazpeshën pas një të djathte brenda zonës, duke shfrytëzuar makimalisht pasigurinë e mbrojtjes së Teutës. Ndërkohë, pak çaste më pas Rizvani detyrohet të ndërhyjë në tentativën e Çotës.

Por, Tirana duket se e mbyll ndeshjen këtu, pasi në 20 minutat e fundit gjithçka flet për Teutën. Skuadra e drejtuar nga Begeja e mbyll sfidën në sulm, luan më mirë se kundërshtarët dhe ndoshta do ta kishte metiar një tjetër gol. Megjithatë, tentativat e Nikës dhe Hoxhës neutralizohen nga portieri Ilion Lika.

Në këtë mënyrë, sfida mbyllet në barazim 1-1 me të dyja skuadrat që ndajnë nga një pikë. Tirana vazhdon serinë pozitive dhe për momentin kryeson me 7 pikë pas tre ndeshjeve, në pritje të transfertës së Skënderbeut me Bylisin, të shtunën në orën 14:00 në fushën asnjëanëse të Vlorës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›