E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions, Interi sfidon gripin e derrit në Kiev

KIEV- Interi do të kërkojë fitoren e parë sezonale në Ligën e Kampioneve, kur të zbresë sot në mbrëmje në stadiumin Lobanovski për t’u përballur me Dinamon e Kievit. Situata alarmante e përhapjes së gripit të derrit ka qenë në qendër të vëmendjes në prag të kësaj ndeshje, por gjithsesi UEFA ka lejuar zhvillimin e saj në prani të tifozëve. Zikaltërve të Murinjos do t’u duhet të luajën përballë një publiku të veshur me maska në këtë ndeshje. “Problemi i shëndetit nuk është në dorën time, unë jam thjeshtë një trajner dhe nuk jam as doktor e as politikan, kështu që nuk jam unë ai që vendos - deklaroi Murinjo në konferencën e zakonshme për shtyp. – Nëse është marrë një vendim për të luajtur me publik është marrë sepse UEFA dhe politikanët në Ukrainë mendojnë se nuk ka rrezik”, shtoi portugezi. Interi pritet të jetë pa organizatorin holandez Uesli Shnajder në ndeshjen e sotme, ndërkohë që pjesa tjetër e ekipit duket e gatshme.
Edhe trajneri i Dinamos së Kievit Valeri Gazajev u shpreh i kënaqur me faktin se ndeshja do të luhet në prani të tifozëve, pavarësisht përhapjes së virusit A-H1N1. “Një ndeshje futbolli pa tifozë nuk është ndeshje futbolli. Ne luajmë për publikun dhe njerëzit në stadium janë ata që sjellin emocionin më të madh”, u shpreh Gazajev. Ndeshja është tepër e rëndësishme për synimet e dy skuadrave. Dinamo e Kievit ka 4 pikë në grupin F, ndërsa Interi vetëm 3.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›