E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpuli, me shumë mungesa kundër Lionit

LONDER- Liverpuli po kalon një nga periudhat më të këqija në arenën europiane, teksa edhe në ndeshjen e sotme ndaj Lionit do të jetë pa një pjesë të mirë të futbollistëve titullarë. Trajneri Rafa Benitez tha se i mungojnë 11 nga 14 lojtarët kryesorë të ekipit. Për Benitez do të mungojnë emra si Glen Xhonson e Fabio Aurelio që nuk kanë udhëtuar për në Francë, por edhe kapiteni Stiven Xherard, ndërkohë që edhe Fernando Torres rrezikon të operohet për shkak të hernies diskale. “Fola me doktorin dhe u përpoqa të gjej një fjalë anglisht për të sqaruar situatën e Torres. Ai më tha që është një hernie sportisti, ç’ka do të thotë se është një problem”, deklaroi Benitez. Pavarësisht kësaj, spanjolli ka ndërmend të rrezikojë duke e hedhur në fushë sulmuesin spanjoll. UEFA ndërkohë e ka lejuar trajnerin Rafa Benitez të thërrasë Daniel Ajalën nga skuadra e rezervave për këtë takim. Liverpuli është në vend të tretë në Grupin E, duke arritur vetëm 3 pikë pas 3 ndeshjeve të para. Në rast të një disfate sot në Francë, kjo skuadër rrezikon eleminimin, një opsion që mund të ndëshkojë edhe Benitezin.
Në krahun tjetër, skuadra franceze duket në pozita shumë komode, pasi ka marrë 9 pikë të plota pas 3 ndeshjeve të para. Sipas mesfushorit Kim Kallstrom, skuadra ka fituar shumë besim te vetja nga këto rezultate. “Ka vetëm një gjë në mendjen tonë, fitorja. Ne mund të luajmë për një barazim që të kualifikohemi, por do të kërkojmë vetëm fitoren”, tha suedezi.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›