E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e deputetit Xhindi, PS: Krimi për arsye politike

TIRANE- Gjashtë muaj pas vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, Partia Socialiste hedh dyshime se vrasja e tij ka qenë për arsye politike. Kreu i Asamblesë Kombëtare të PS, Gramoz Ruci deklaroi se heshtja e gjatë e Prokuroisë së Përgjithshme por dhe e organeve të hetimit konfirmojnë se pista e hetimit për ngjarjen është tërësisht politike.

"Përgjigjet pa përgjigje të pushtetit të Sali Berishës deri më sot kanë hedhur në tavolinë të organeve kompetente të gjitha pistat e mundshme. Po sipas verdikitit të tyre të gjitha nuk qëndrojnë. Aktualisht ka mbetur vetëm një pistë: Fatmir Xhindi është vrarë vetëm për arsye politike. Pistë që nuk është hedhur para organeve kompetente. Këtë pistë nuk mund ta hedhë pushteti i Sali Berishës", u shpreh Ruçi.

Ndërkaq, Ruci përforcon deklaratën e tij duke theksuar se veprimet hetimore rezultojnë tërësisht të stopuara, ndërsa sipas tij, Policia e Shtetit nuk ka kryer asnjë veprim hetimor për zbulimin e autorëve dhe gjetjen e provave.
Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhindi u vra 6 muaj më parë në afërsi të banesës së tij në Roskoveç. Ngjarja e rëndë ende nuk është zbardhur, ndërsa nuk ka asnjë të dyshuar apo të ndaluar për këtë vrasje.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›