Champions, sërish Itali-Angli
Ashtu sikurse ishte parashikimi, ka ndodhur edhe në shortin e Champions League: Çelsi i Karlo Ançelotit për Interin, Mançester Junajtid për Milanin. Edhe një herë përsëritet kështu një supersfidë mes Italisë dhe Anglisë, i cili në edicionin e kaluar, pikërisht në 1/8-at, ishte thuajse i njëjtë. Shumë i vështirë mund të konsiderohet edhe kundërshtari i Fiorentinës, që si kokë serie ka peshkuar një ndër skuadrat më të mira të renditura mes skuadrave të vazos së dytë: Bajernin e Mynihut. Këto do të jenë sfidat më të rëndësishme në ndeshjet eliminatore direkte: një miks shpërthyes, ku mund të bëhet fjalë edhe për hakmarrje. Zhoze Murinjo, në fakt, do të duhet të rikthehet në "Stamford Bridge" për të përballur skuadrën, të cilën e ka çuar në majën e Premier League: një sfidë që mund të shumëzohet me një sërë faktorësh, pasi në pankinën e "Blues" është ish-trajneri i Milanit, Ançeloti, i cili i njeh mirë interistët. Ndërkohë që në Nion të Zvicrës është realizuar dëshira e Devid Bekamit, i cili kështu do të tentojë të bëjë goditjen e madhe ndaj ish-skuadrës së tij, që e ka bërë të njohur si lojtar i madh. Skuadrën e "Red Devils"-ave, Milani i ka eliminuar dy sezone më parë në Champions League. Mitike ka qenë gjysmëfinalja e majit 2007, në të cilën, me një ndeshje të jashtëzakonshme, kuqezinjtë shkatërruan formacionin e Aleks Fergusonit me një fitore të pastër 3-0 dhe fluturuan për në Athinë për të fituar trofeun më prestigjioz të përballjeve mes klubeve. Ndërkohë që një tjetër rrezik për skuadrat italiane është edhe Bajerni i Mynihut. Fiorentina do të ketë mundësinë për t‘u hakmarrë për eliminimin në sezonin e kaluar gjatë fazës në grupe: Ndoshta, duke shprehur një keqardhje për ish-sulmuesin e saj, Luka Tonin, që sipas "Radio mercato", mund të rikthehet në janar në Itali, edhe pse mëngjesin e djeshëm presidenti i klubit bavarez Rumenige ka deklaruar se do të kërkojë ta mbajë me çdo kusht në klubin rekordmen të Gjermanisë për sa u përket kampionateve të fituara. Nga kjo pikëpamje, ky vit i 1/8 të finaleve të Champions League do të jetë i shpërndarë në katër javë: dy ndeshjet e para vajtje (16/17 e 23/24 shkurt), dy të tjerat (9/10 dhe 16/17 mars) për ndeshjet e kthimit. Ky është programi komplet: Inter-Çelsi, Milan-Mançester Junajtid, Bajern-Fiorentina, Shtugart-Barcelona, Olimpiakos-Bordo, CSKA Moska-Sevilja, Lion-Real Madrid, Porto-Arsenal. Do të jetë Milani ai që do të hapë vallen më 16 shkurt (ndeshja e kthimit më 10 mars), ndërsa Fiorentina do të zbresë në fushë një ditë më vonë në Mynih, kurse ndeshja e kthimit do të jetë në "Artemio Franki" me datën 9 mars. Interi do të duhet të përballet me Çelsin e Karlo Ançelotit më 24 shkurt në "San Siro", ndërsa ndeshja e kthimit është fiksuar për në datën 16 mars në Londër. Një ndeshje jo fort e vështirë e pret Barcelonën, e cila do të përballet me Shtutgartin. Bordoja po ashtu mendohet ta ketë të lehtë kundër Olimpiakosit. Sevilja do të sfidojë CSKA-në e Moskës. Ndërsa Arsenali do të duelojë Porton dhe Reali me Lionin.