E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus përballë Ajaksit në 1/16 e Europa League

Ajaksi dhe Juventusi, dy skuadrat që së bashku janë shpallur gjashtë herë kampione të Europës, do të luajnë përballë njëra-tjetrës në 1/16-at e Europa League. Në katër raste holandezët ishin skuadra më e mirë në kontinent, duke përfshirë këtu tri triumfe radhazi në periudhën 1971-‘73, ndërsa italianët dy herë. Bardhezinjtë u eliminuan nga Liga e Kampioneve në ndeshjet e fundit në grup, pasi humbën në Torino 4-1 me Bajernin e Mynihut. Shaktjor Donjeck, skuadra që është mbajtësja në fuqi e trofeut që më parë quhej Kupa UEFA, do të ndeshet me anglezët e Fulhamit. Pikërisht fituesja e këtij çifti do të përballet me fituesen ndërmjet Juventusit dhe Ajaksit në turin tjetër. Një sfidë mjaft interesante parashikohet edhe ajo ndërmjet Liverpulit dhe rumunëve të Unirea Urzicenit, dy skuadra që u eliminuan në Champions. Fituesja do të luajë në turin tjetër kundër fitueses së çiftit Lilë-Gallatasarai. Shorti nuk është treguar aspak bujar as me Romën, e cila do të ketë si kundërshtar grekët e Panathinaikosit. Volfsburgu, kampion në fuqi i Gjermanisë, që u eliminua në Ligën e Kampioneve pas dy humbjeve në dy ndeshjet e fundit në grup, do të përballet me Vijarealin. Salzburgu, skuadra e vetme që ka marrë pikët e plota në grupet e Europa League, do të luftojë kundër belgëve të Standardit të Liezhit për të vazhduar aventurën. Hamburgu ëndërron që të luajë në finalen e 12 majit, në stadiumin e saj, por për të arritur deri në atë ndeshje, më parë gjermanët duhet të kalojnë një pengesë të vështirë, si holandezët e PSV Eind‘hoven.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›