E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chavez akuzon Holandën për agresion

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, ka akuzuar Holandën se po përgatitë agresion kundër Venezuelës, për shkak të vendimit që të lejojë forcat amerikane që të shfrytëzojnë një ishull holandez, në afërsi të brigjeve të Venezuelës.

“Po e akuzoj Holandën, së bashku me perandorinë e jankive, se po përgatisin agresion kundër Venezuelës”, tha Chavez gjatë takimit me udhëheqësit e majtë në Kopenhagë.

Chavez, i cili po qëndron në Kopenhagë për të marrë pjesë në Konferencën e OKB-së për ndryshime klimatike, është i përfshirë në një grindje me Kolumbinë fqinje, për shkak të marrëveshjes për të lejuar qasjen e forcave amerikane në bazat ushtarake në Kolumbi.

SHBA-ja ka kohë që ka pasur një prani ushtarake në ishujt Curacao dhe Aruba, ku janë të stacionuar rreth 250 pjesëtarë të forcave ajrore të SHBA-së, të angazhuar në operacionet kundër narkotikëve dhe të vëzhgimit në Karaibe.

Chavez nuk shpjegoi se pse po akuzon pikërisht tani Holandën për agresion. Ai gjithashtu e përmendi edhe riaktivizimin e flotës së katërt të SHBA-së, e cila u shpërbë në vitin 1950. Flota e katërt patrullon në brigjet e Amerikës Latine.

Në anën tjetër, Kolumbia këtë javë kërkoi nga Venezuela që të arrestojë dhe të ekstradojë 15 zyrtarë të kryengritësve të majtë në Kolumbi, për të cilët theksoi se janë strehuar në Venezuelë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›