E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunë e re në Ingusheti

Persona të armatosur kanë vrarë dy oficerë të shërbimit të brendshëm rusë, FSB dhe kanë plagosur një tjetër, pas një sulmi të ndërmarrë në Republikën e Ingushetisë, kanë njoftuar prokurorët.

Disa orë më herët, një sulmues vetëvrasës hodhi vetën në ajër në afërsi të një stacioni të policisë, duke plagosur me këtë rast 23 persona, përfshirë këtu edhe tre fëmijë, njoftuan mediet.

Dhuna që ka eskaluar në rajonin e Kaukazit të Veriut, me popullatë shumicë myslimane, ka detyruar Kremlinin që muajin e kaluar ta cilësojë këtë rajon si problemin më të madh të brendshëm të Rusisë.

Qendra e dhunës është Ingushetia, ku analistët politikë kanë theksuar se është duke u zhvilluar një luftë e vërtetë mes kryengritësve dhe forcave të sigurisë.

Persona të armatosur sulmuan në Nazran automjetin, në të cilin gjendeshin tre oficerët e FSB-së, deklaroi prokurori kryesor në Ingusheti.

“Njëri nga oficerët vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa i dyti vdiq nga plagët e marra në spital. Oficeri i tretë është i plagosur, por është në gjendje stabile”, theksoi ky zyrtar.

Një zyrtar i policisë, i cili deshi të mbetet anonim, konfirmoi se 23 persona janë plagosur, pas sulmit vetëvrasës në afërsi të një stacioni të policisë në Nazran.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›