Plaçkitet Auschwitzi
Mbishkrimi famëkeq nga hekuri, me sloganin cinik të nazistëve, “Arbeit macht frei” (Puna të bën të lirë), i cili ka qenë i vendosur në kampin e vdekjes Auschwitz, është vjedhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka njoftuar policia polake.
Zëdhënësja e policisë, Katarzyna Padlo, theksoi se shenja është hequr nga porta në hyrje të Auschwitzit diku prej orës 03:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.
Policia ka filluar gjuetinë masive, ndërsa hetuesit kriminalë kontrolluan rajonin përreth ish-kampit të vdekjes, i cili ende është një testament për krimin që kanë kryer nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve, romëve dhe të tjerëve.
Zëdhënësi i muzeut, Pavel Savicki, këtë plaçkitje e cilësoi si përdhosje dhe theksoi se është shokues fakti se historia tragjike e këtij vendi nuk ka ndalur hajnat.
“Ne besojmë se përgjegjësit do të zbulohen shumë shpejtë dhe se mbishkrimi do të kthehet në vendin e vet”, tha Savicki.
Një kopje e mbishkrimit, e bërë nga muzeu pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, është vendosur si zëvendësim për origjinalin e vjedhur, por të gjithë vizitorët janë njoftuar për vjedhjen e mbishkrimit origjinal, tha Savicki.
Mbishkrimi origjinal është bërë në verën e vitit 1940, nga të burgosurit jo-hebrenjë në Auschwitz, në punëtorinë e kampit.
Slogani “Arbeit macht Frei” është vendosur edhe në kampet tjera naziste, përfshirë këtu edhe kampet Dachau dhe Sachsenhausen.